Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se ashpërsimi i gjuhës së zyrtarëve të lartë të VMRO DPMNE-së ndaj diplomatëve të huaj vë në rrezik të ardhmen e vendit, veçanërisht orientimin e saj euroatlantik.
Partia VRMO DPMNE ditët e fundit në vazhdimësi ka kërkuar sqarimin nëse Ambasada e SHBA-së në Shkup flet në emër të administratës së SHBA-së, duke shfaqur në këtë mënyrë mosbesim ndaj ambasadorit Jess Baily.
Ndërkohë, në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se administrata amerikane ka besim të plotë në Ambasadën e SHBA-së dhe ambasadorin amerikan në Maqedoni Baily.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan, Mark Toner, ka theksuar se drejtimet e ambasadorit Baily dhe ekipit të tij janë “që të punojnë në partneritet me autoritetet e Maqedonisë por edhe me shoqërinë civile për përparim të politikës amerikane dhe qëllimeve të SHBA-së”.
Ndërkohë, ish-sekretari shtetëror i ministrisë së Integrimeve, Pero Dimshoski, thotë se sulmet e VMRO DPMNE-së ndaj faktorit ndërkombëtar veçanërisht ndaj ambasadorit amerikan në Shkup Jess Baily, rëndojnë edhe më shumë situatën politike në të cilën ndodhet Maqedonia.
Por ish-ambasadori i Maqedonisë në Moskë, Risto Nikovski ka një qëndrim krejt ndryshe. Ai thotë se kritikat e drejtuesve të VMRO DPMNE-së drejtuar ambasadorit amerikan në Shkup janë shumë të drejta sepse siç vlerëson ai, diplomati amerikan me qëndrimet e dhëna shkel konventën e Vjenës dhe synon të ndërhyjë në punët e brendshme të Maqedonisë.
Ndërkohë, të premten ka reaguar edhe ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë duke u përqendruar në komentet e politikanëve të rajonit lidhur me zhvillimet politike në Maqedoni, kryesisht atyre shqiptarë.
“Politikanët nga vendet fqinje të cilët me këmbëngulje tentojnë ta tërheqin vëmendjen nga problemet në vend, me ndezje të zjarrit tek fqinjët shkojnë në kundërshtim me vlerat evropiane. Natyrisht që më tërheqëse është të merren me vendet fqinje në kushte kur vështirë se iu shkon me nevojat reale të qytetarëve në vendin personal. Megjithatë, për të gjithë do të jetë më mirë të përkushtohen në reformat që i kanë shumë të nevojshme përpara se të ëndërrojnë për udhëheqje dhe të krijojnë ndarje në rajon”, thonë nga MPJ-ja.
Partia e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski VMRO DPMNE, pas takimeve me diplomatët e huaj ka njoftuar se me bashkëbiseduesit ka dallime të mëdha sa i përket formave për formimin e qeverisë së re dhe përsëritjes eventuale të zgjedhjeve.
Përderisa nga kjo parti kanë njoftuar se pas takimit që ka realizuar Nikolla Gruevski, partia e të cilit doli fituese në zgjedhje, me ambasadorin rus në Maqedoni është vërejtur mes dy bashkëbiseduesve pajtueshmëri për të gjitha çështjet e diskutuara./BW