Gjykata franceze ka urdhëruar sot lirimin e ish-udhëheqësit të Kosovës Ramush Haradinaj, i cili u arrestua javën e kaluar në aeroportin e Basel-Mulhouse me kërkesë të Serbisë. Gjykata vendosi që ai të qendrojë nën mbikëqyrje policore deri në përfundimin e procedurave, shkruan prestigjiozia franceze “Le Monde”.
Z. Haradinaj, i cili ka qenë Kryeministër i Kosovës në vitet 2004-2005, do të depozitojë pasaportën e tij me policinë franceze dhe do t’i përgjigjet thirrjeve të ardhshme gjyqësore derisa kërkesa për ekstradim nga Serbia të shqyrtohet në themel nga Gjykata e Apelit në Colmar.
Ky vendim për ta liruar Haradinajn me kusht vjen pas një jave qendrimi në paraburgim. “Avokati i ish-liderit rebel të Kosovës, Rachel Lindon tha se rezultati përfundimtar do të jetë mosekstradimi në Serbi”, shkruan Le Monde.
“Këto akuza që vijnë nga Serbia janë thjesht politike”, mësohet të jetë shprehur Haradinaj gjatë seancës në gjykatë. Duke folur në frengjisht me zë të qetë, ai gjithashtu ka thënë se “mbajtja në burg është një cenim i të drejtave të njeriut”.
Gjatë seancës, kryetari i trupit gjykuese, tha se, në bazë të informacionit të dhënë për Interpol, Serbia e akuzon Haradinajn se ka kryer krime çnjerëzore në vitin 1999; si burgim, dhunim dhe vrasje ndaj shtetasve serb.
Siç shihet edhe nga këto foto, Haradinaj është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie në sallën e gjyqit. Ai do të qendrojë në Francë deri në përfundim të gjyqit ndaj tij. /Opinion.al