Pas fitores së Donald Trump dhe humbjes së thellë të Hillary Clinton, të shumët kanë qenë ata që janë mërzitur, madje kanë shpërthyer edhe në lot. Mes tyre është edhe një vajzë 10 vjeçe e cila me ndihmën e mamasë së saj i ka dërguar një letër kandidates Demokrate për presidente, letër e cila është parë dhe shpërndarë në shumë rrjete sociale.
Bëhet fjalë për Kaia James, 10 vjeç, e cila është e para vajzë e vogël që shkruan një letër të hapur për Clinton.
Nëna e saj tregoi se kur e bija u zgjua në mëngjes shpërtheu në lot në shtëpinë e saj në Orlando, Florida.
“Ajo qau për një orë dhe unë e lash të mblidhte veten para se ta dërgoja në shkollë, tha nëna e saj Sabrina James për “Daily Mail Online”.
Letra:
“E nderuar Hillary Clinton,
Faleminderit që garove për mua dhe për të gjitha gratë dhe vajzat”.
Kaia vazhdon të lavdërojë ish-Zonjën e Parë duke theksuar se “femrat mund të bëhen çdo gjë dhe të bëjnë çdo gjë” dhe se “meshkujt nuk janë më të fortë se sa gratë”.
Më pas, e mitura tregon se sa mirë ajo e di historikun e idhullit të saj.
“Unë mendoj se është mahnitëse fakti që kur ishit në moshën time, ju donit të bëheshit një astronaute, kur të rriteshit, -unë, gjithashtu”.
“Edhe pse ju kurrë nuk u bëtë një astronaute, keni bërë kaq shumë gjëra të pabesueshme.”
Kaia e përfundon letrën duke i shprehur Hillary se ajo vetë “do të përfundojë atë që ju nisët” dhe do të ndryshojë ëndrrën e saj nga të qenit një astronaute, për t’u bërë një lidere botërore.
“Ju luftuat për ne dhe tani është radha jonë të luftojmë për ju,” shkruan vogëlushja duke insistuar se “nuk ka mbaruar ende”.