Rubrika e përjavshme në Opinion.al, ‘Personazhi i javës’, këtë radhë është ndalur në kandidatin fitues të zgjedhjeve për Bashkinë Dibër, Muharrem Rama.
Nga Reldar Dedaj
Vendimi i papritur i dibranëve për të dhjetëfishuar votat për Partinë Socialiste, 12 muaj më pas nga zgjedhjet e mëparshme, a plotëson një nga të tatëpjetat më të shpejta dhe sigurisht më spektakolare të zgjedhjeve të lira në vendin tonë? Përgjigjja, është dhe s’është, kirurgu Muharrem Rama.
Në Dibër e majta hyri në kolaps; çamët që nuk banojnë në Dibër, i bënë më dibranë se dibranët. Grave të dhunuara psikologjikisht nga skandali ‘Shukri’, iu kërkua që të mbështesin mëkëbësin e Shukriut. Gjysma e të majtës, LSI, nuk hyri në fushatën e aleancës.
Qeveria i kishte vënë vizën Dibrës. Vepra më e madhe e nisur para ardhjes së këtyre në qeverisje, Rruga e Arbërit, është nderë tashmë si një kufomë e pakallur. Qeveria e majtë e neveriti këtë projekt. Ajo nuk bëri asnjë investim në këtë tokë; caktoi më pak fonde për Dibrën se sa për ariun në sheshin e Tiranës që mahnit disa vizitorë të varfër të tjerë.
Atëherë, çfarë ndodhi?
Duket sikur Dibra kaloi ylberin, fill pas kalimit, matanë ylberit, dibranët nuk ishin ata të mëparshmit. Kirurgu Rama fitoi më thellë se sa ai vetë mund ta mendonte: mbi 4 mijë vota në avantazh. Në kohën kur, zgjedhjet e 2015-ës, u mbyllën me bilancin e 400 votave në favor të socialistëve. Kjo e dhënë tregon se votat nuk janë dyfishuar, ndoshta kjo do ishte diçka krejt normale, por ato janë dhjetëfishuar dhe këtu ka diçka që s’shkon. Një nyje që herë lidhet e herë zgjidhet sa në favor të njërës, po aq dhe të tjetrës palë.
Doktor Rremi nuk është vetëm, siç thuhet zakonisht, data e lindjes së një koalicioni të ri, PS-PDIU, është dhe akti inagurues i një lufte të një lloji të ri, e cila nga ky çast, në fshehtësi, duket sikur është zgjeruar.
Menjëherë pas fitores së thellë të socialistëve, Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri ka qenë personi i parë që ka folur nga qeveria. Gjiknuri tha për mediat, se koalicioni do të shihet se cili nga aleatët ka kontribuar më shumë për fitoren në Dibër. Në njëfarë mënyre, ai hedh hapin e parë paralajmërues, se marrëveshja PS-LSI, tashmë, është në vigjilje të një krisjeje të thellë.
Por jo vetëm kaq.
Referuar mediave opozitare, Dibra, shfaqet në prag të një lufte civile. Shefi i komisariatit del që bashkëpunon me kontrolluesit e arave të mbjella me hashash. Nëpunës të ndryshëm kërcënojnë të lenë mësues pa punë dhe të sëmurë pa KEMP. Por edhe të fortë katundesh, që nën forcën e grykës së kallashnikovit, kërcënojnë votuesit për të mos dalë nga shtëpia për të marrë pjesë në votime.
Kjo është, pak a shumë, panorama e përgjithshme në Dibër. Mirëpo, ajo që s’është shfaqur asnjëherë në media, është pyetja: Kush është kandidati socialist, me profesion mjek kirurg, 48 vjeç, baba dhe banues i përhershëm në qytetin e Peshkopisë, i gjendur për mirë dhe për keq pranë qytetarëve të tij?
Ndoshta pa e menduar asnjëherë një përgjigje të tillë, një banor i qytetit të Peshkopisë na tha kështu: “Ne dibranët nga besimi jemi mysliman, e si rrjedhojë gratë tona nuk rrëfehen vetëm, fillikat me priftin. Por mjeku, për hir të profesionit që ka, është i vetmi burrë që një dibran e lenë gruan e vet në një dhomë me të, çfarë duhet të themi më tepër. Muharrem Rama e ka pushtu kështjellën nga brenda; or mik”.
Në të vërtetë, mjeku kirurg, në qytetin e Peshkopisë dhe jo vetëm, referuar shumë të dhënave nga banorë të zonës, ka qenë një nga kandidaturat më serioze, më të pëlqyeshme nga qytetarët e Dibrës. Një mjek, që iu është gjendur për mirë dhe për keq, qytetarëve të tij, që jeton në Peshkopi, dhe mbi të gjitha, përshëndeste në emër çdo njeri, qofshin ata me bindje të majta apo të djatha.
Ndërsa, për aq sa i përket Sherefedin Shehut, kandidati i opozitës, duket se njeriu i shifrave dhe kalkulimeve të sakta logjike vrau veten. Në të vërtetë, në pamje të parë, vetëvrasja i shkon shumë për shtat një ideje të tillë. Është e vështirë të shkatërrohet dikush nga jashtë. Çdo njeri, ka moshën e tij, lindjen, maturinë dhe vdekjen. Profesori humbi, pasi thjesht, nuk erdhi në kohën e duhur për dibranët.
Sepse, askush nuk duhet të dyshojë tek arsyeja individuale e dibranëve. Pikërisht se arsyeja, siç thoshin Iluministët, është një flakë e imët në errësirën e natës, ndaj është edhe aq e vyer, ndaj duhet mbrojtur.