Mediat Ndërkombëtare kanë pasqyruar gjerësisht fitoren e kombëtares shqiptare ndaj Maqedonisë duke i bërë jehonë faktit që ndeshja u luajt në dy ditë pas ndërprerjes së mbrëmshme.
Agjencia kombëtare maqedonase e lajmeve, MIA, e pasqyron lajmin në edicionin anglisht me këtë titull: “Maqedonia pëson gol në fund, mundet nga Shqipëria në kualifikueset e Botërorit”.
Ndërkaq, mediat sportive italiane dhe ato spanjolle i kanë kushtuar rëndësi kësaj përballjeje edhe për faktin që dy ekipet janë pjesë e Grupit G, së bashku me Italinë dhe Spanjën.
E përditshmja “Corriere della Sera” e ka si kryelajm me titull: “Çfarë fitore Shqipëria!”.
“Duhej të gjente një gol në 14 minuta që mbeteshin nga loja, dhe ia doli kur mbetej vetëm një: e shënoi Balaj me kokë duke shfrytëzuar një goditje dënimi të ‘peskarezit’ Memushaj dhe kështu Shqipëria mundi 21 Maqedoninë duke u ngjitur në krye të Grupit G të kualifikueseve të Botërorit, me pikë të barabarta me Spanjën dhe Italinë”.