Qytetarë dhe aktivistë nga Elbasani iu bashkuan këtë të premte protestës së organizuar kundër projektit në zonën e Zvërnecit, duke u bërë pjesë e tubimeve të zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.
Me pankarta në duar dhe thirrje kundër qeverisë, protestuesit kërkuan anulimin e projektit të Zvërnecit, të cilin e konsiderojnë të dëmshëm për mjedisin dhe interesin publik. Gjatë protestës nuk munguan as thirrjet politike, ku pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa u dëgjuan edhe slogane të ndryshme kundër klasës politike.
Në fjalën e tyre, qytetarët e pranishëm theksuan se kundërshtojnë jo vetëm projektin e Zvërnecit, por edhe Paketën e Maleve, për të cilën shprehën shqetësimin se mund të ndikojë në mënyrën e administrimit dhe përdorimit të pronave në zonat malore.
Sipas protestuesve, vendimmarrje të tilla duhet të kalojnë përmes konsultimeve më të gjera me komunitetet dhe grupet e interesit, ndërsa kërkuan që qeveria të tërhiqet nga projektet që, sipas tyre, cenojnë interesin publik dhe pasuritë natyrore të vendit.
Protesta u zhvillua në mënyrë paqësore, ndërsa u monitorua nga forcat e policisë së rendit.














