Atleti shqiptar Izmir Smajlaj nuk ka mundur dot të kapë finalen e garës së kërcimit së gjati në “Rio 2016”, duke dhënë si rezultat më të mirë 7.72 metra (larg rekordit të tij, 8.03 metra). Rezultat që e renditi atleti kuqezi në vendin e 21-të të klasifikimit të përgjithshëm të kësaj disipline mes 32 garuesve. Distanca 7.72 metra e realizuar nga atleti shkodran nuk ishte ajo që pritej, madje ishte më e dobët se ajo e Europianit të një muaji më parë apo rekordi i tij kombëtar. Vetë Smajlaj pat deklaruar se synonte të kërcente mbi 8 metra, por nuk ia doli dot mbanë, duke u eliminuar shpejt nga gara edhe pse kishte mundësi për më shumë..
Smajlaj ishte në baterinë e parë, ku bënin pjesë 16 atletë (32 në total në dy grupe). Në kërcimin e parë, atleti shqiptar dha rezultatin 7.72 metra, ndërsa në kërcimin e dytë “fluturoi” 7.61 metra. Ndërsa kërcimi i tretë rezultoi faull për atletin kuqezi, që me 7.72 metra u rendit në vendin e 12-të në Grupin A, ku dhe bënte pjesë. Pasi u zhvillua edhe Grupi B, atleti shqiptar zuri vendin e 21-të në renditjen e përgjithshme, ndërkohë që në finale shkuan 12 më të mirët (7.85 vendi i 12-të dhe i fundit që shkoi në finale).
Nëse Smajlaj do të kishte kërcyer në rekordin e tij kombëtar, që është 8.03 metra, ai do ta kishte kapur finalen, ndërkohë që edhe rezultatet e eliminatoreve nuk ishin të larta. Paraqitja e atletit nuk ishte ajo që pritej edhe pse ai gëzonte një formë të mirë sportive. Ndoshta emocionet e një pjesëmarrje të parë në një Olimpiadë ndikuan në këtë rezultat. Atletja e fundit shqiptare që ka mbetur në garë në Lojërat Olimpike “Rio 2016” është Luiza Gega, që sot pasdite do të garojë në bateritë eliminatore të 3000 metrave me pengesa.