Keqtrajtimi mizor i një qeni që tërhiqej zvarrë me makinë në rrugët e Durrësit ka indinjuar thellë rrjetin e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të kafsheve në Kosovë.
Pamjet e rënda u shfaqen përmes një video të postuar nga faqja “Jeta Osh Qef” në rrjete të ndryshme sociale, por edhe media.
Me anë të një deklarate, rrjeti i organizatave për mbrojtjen e kafshëve në Kosovë, ka kërkuar se duhet urgjentisht të merren masa për parandalimin e këtyre mizorive, ku akte të tilla shihen veçse në vende të botës së tretë.
“Shqipëria, si vend anëtar i NATO-së dhe vend kandidat për anëtarësim në BE, dhe Kosova si shtet i ri që synon integrimin e plotë në familjen euro-atlantike, që të dyja janë zotuar se do të përqafojnë vlerat dhe standardet më të lartë të civilizimit evropian. Fatkeqësisht mizoritë ndaj kafshëve, që sot mund të hasen gjithandej trojeve shqiptare, janë pasqyrë e keqe e kombit tonë si dhe janë një tregues i frikshëm i potencialit tonë për dhunë dhe jotolerancë”, thuhet në deklaratë.
Ndërkaq, rrjeti i organizatave për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve në Kosovë ka theksuar se ofron të gjithë ndihmën dhe përkrahjen e vet për organizatat si motra në Shqipëri dhe fuqishëm kërkon veprimin e pakompromis të autoriteteve shqiptare.