Fethullah Gylen, i cili akuzohet se tentoi të bënte grushtin e shtetit në Turqi, ka shprehur gatishmërinë për ngritjen e një komisioni ndërkombëtar për hetimin e çështjes. Në një intervistë për mediat ndërkombëtare ai tha: “Tani, unë jam i gatshëm që të ngrihet një komision ndërkombëtar, ta hetojë gjithçka dhe shqyrtojë këtë çështje deri në detajet më të imta të saj dhe nëse del e vërteta, madje edhe e gënjeshtërt sikur të jetë përfundimi unë jam gati ta pranoj.”
I pyetur se “si është e mundur që Erdogani e cilëson atë si arkitektin e këtij grushti shteti dhe cili është reagimi i tij para një akuze të këtillë”, M. F. Gyleni i përgjigjet se “kjo nuk është një gjë e re, pasi akuzat ndaj tij dhe mbështetësve apo simpatizuesve të tij apo ideve të tij nuk kanë reshtur për asnjëçast që prej skandalit të aferave korruptive të 17 dhe 25 dhjetorit 2013.” Veç të tjerash, ai shprehet “se është e pamundur që ta kem bërë unë, tani, në moshën 77- vjeçare, kur kanë kaluar plot 20 vjet që parashtroj një vizion të qartë mbi epërsinë e demokracisë dhe republikanizmit ndaj dhunës dhe praktikave të grushtit të shtetit. Edhe atëherë kur unë e vija theksin tek demokracia, në vitet ’90, ishin po këta që më kritikonin kudo që t’u jepej mundësia.” Ai ofroi gjithashtu edhe një interpretim të rrjedhës së ngjarjeve parë nëpërmjet parimit të shkak-pasojës.
“Nëse do ta krahasojmë me grushtet e shtetit të mëparshme, do të thosha se nëse do ta analizonim gjithçka me një sy gjithëpërfshirës, kjo ngjan si diçka e sajuar vetë. Dhe me shumë gjasë, meqë dolën menjëherë pas ngjarjes për të thënë se tani janë të lirë të marrin në kontroll edhe ushtrinë. Këtë mund ta kenë bërë ata vetë, mund ta ketë bërë ndokush nga nacionalistët, ose ndonjë i naiv i nxitur pa e kuptuar,” – deklaroi.