Andrea Memollari, personi që aksidentoi për vdekje Dhurata Priftin, ka qënë një shkelës i hershëm rregullave të qarkullimit rrugor. Në datën 3 Mars 2015, ai u ndalua për tejkalim të normave të shpejtësisë. Pas kësaj, ai tentoi të korruptojë me 500 lekë të reja, efektivin e policisë.
Memollari iu afrua policit me paratë në dorë, duke i thënë: “Merre, pini një kafe dhe mos më vononi se kam një takim”. Pas kësaj, blutë e prangosën dhe ai u hetua nga Prokuroria, e cila e dërgoi në gjyq.
Për 20 – vjeçarin, Prokuroria kërkoi dënimin me 9 muaj burg, por duke qenë se kishte pranuar gjykimin e shkurtuar, masa u ul në 6 muaj burg.
Kjo çështje u shyqyrtua nga gjykatësi Martin Deda, i cili u bind për fajësinë e Memollarit, nisur nga provat e Prokurorisë. Por ai argumeton në vendim se qëllimi nuk është vetëm ndëshkimi i të pandehurit, por edhe rehabilitimi, edukimi dhe rintegrimi në shoqëri.
Gjithashtu, gjyqtari Deda ka çmuar në vendim se në këtë rast kishte vend për aplikimin e dënimit alternativ, atë të punës në komunitet. Kjo nisur nga rrethanat e veprës penale dhe rrezikshmërisë së ulët që paraqiste 20 – vjeçari.
Duke qenë se nuk kishte qenë i dënuar më parë, gjyqtari Deda pezulloi dënimin me burg, duke vendosur si masë dënimin me 40 ditë pune në shërbim të komunitetit.