Pse nuk u filmua pikërisht momenti i grabitjes, pra kur autorët marrin thasët me para? Dhe pse nuk ka polici në pistë? Për këto dy pyetjet kryesore që shtojnë dyshimet për mënyrën se si u grabitën thasët me para, Policia e Shtetit e ka një përgjigje. Sipas saj, këto ambiente ruhen vetëm nga Aeroporti i Rinasit, pra koncensionari që ka kontraktuar një kompani private. Madje policia shkon më tej, duke thënë se “kemi konstatuar probleme të sigurisë por TIA nuk ka marrë masa, sidomos përsa i përket mungesës së kamerave të sigurisë”.
Ja shpjegimi i zv. drejtorit të policisë Ervin Hodo
Në bazë të Marëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Shoqërisë Koncensionare Tirana International Airport, siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendqëndrimin e avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe sallën e kamerave CTV, e bën në mënyrë ekskluzive shoqëria koncesionare nëpërmjet kompanive private të sigurisë.
Madje vetë policia, mbi bazën e kësaj marrëveshje, e ka rreptësisht të ndaluar të patrullojë në aereoport.
Policia e Shtetit mban përgjegjgësi për sigurinë e udhëtarëve në Aeroportin Nënë Tereza, dhe veçanërisht në Pikën e Kalimit Kufitar Ajror, që është territori nga kabina e kontrollit, salla e tranzitit deri në vendqëndrimin e avionit.
Gjithashtu, Policia e Shtetit, bazuar edhe në masat e shtuara të sigurisë, të marrra në kuadër të luftës kundër terrorizmit, kryen shërbim me patrulla të shtuara në kabinat e kontrollit të pasagjerëve në hyrje-dalje, në ambjentet e brendshme dhe para terminalit të pasagjerëve, në ambjentet e intervistimit të shtetasve të kthyer dhe për sigurimin e personave të shoqëruar në ambientet e Komisariatit.
Kështu perimetri i jashtëm i aeroportit, patrullimi nga brenda i perimetrit të aereoportit, portat hyrëse të tij, vendpushimi i avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe salla e kamerave CTV, janë përgjegjësi direkte e kompanisë ICTS, e cila është kontraktuar nga TIA (Tirana International Airport).
Pikërisht për shkak të konstatimit të shpeshtë të mungesës së disa elementëve të sigurisë, Policia e Shtetit i ka komunikuar Autoritetit Aeroportual TIA, në lidhje me mangësitë të konstatuara në drejtim të parametrave të sigurisë, veanërisht për sistemin e kamerave, pasi kamerat nuk mbulonin me monitorim të gjitha pikat nervlagjike të aeroportit. (shih më poshtë: Shkresa 1)
Nga Autoriteti Aeroportual TIA, i është kthyer përgjigje Komisariatit të Polcisë Rinas se: Shqetësimet e ngritura lidhur me sigurinë dhe kamerat e sigurisë, nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit. (Shih Shkresa 2)
Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Aeroportit datë 30.03.2016 mbajtur me protokoll nr 145 Ref : RCV-GM/STO nga ana e Policisë së Shtetit është kërkuar rishikim i masave të sigurisë përfshirë dhe sistemin e kamerave si dhe shkëmbim i menjëhershëm i informacionit në rast të ngjarjeve të mundshme kriminale.