Irlanda është vendi i tretë i fundit që kap një vend në fazën e 1/8. Pasi mundën italianët në minutat fundit duke i hequr kështu mundësinë Suedisë dhe Turqisë. Kjo është hera e parë që Irlanda futet në fazën e nokautit në një kompeticion Evropian.
Italia është rreshtuar shumë thellë në prapavijë dhe mendohet vetëm për të mbrojtur, teksa Irlanda mundohet me të gjitha forcat për të shënuar një gol por kanë përballë një ekip që jeton për t’u mbrojtur. Rastet janë të shumtë nga ana e ishullorëve, por nuk arrijnë të krijojnë raste të pastra ose nuk i shfrytëzojnë mirë pasimet e fundit. Italia mesa duket e ka mendjen te Spanja, dhe duket e pamotivuar dhe arriti të bëjë vetëm një goditje drejt portës irlandeze në 45 minutat e para.
Edhe pjesa e dytë nuk ndryshon dhe është Irlanda e cila sulmon pa pushim por italianët prej betoni nuk lejojnë hapësira. Teksa minutat kalojnë irlandezët fillojnë të ndjejnë lodhjen dhe ky është momenti që italianët fillojnë të dalin nga pak nga gjysmëfusha e tyre në kërkim të golit. Insigne ka rastin më të mirë por vetëm shtylla i mohon golin në minutën e 77-të. Italia merr zemër dhe irlandezët duken të dorëzuar. Rasti më i mirë i ndeshjes vjen për Irlandën në minutën e 84 por Hoolalan humb një mundësi të artë vetëm për vetëm me portierin. Por irlandezët nuk dorëzohen dhe duket se kanë marrë zemër me këtë rast. Pas shumë e shumë mundësive më në fund ata shpërblehen. Hoolalan fut në zonë një kros shumë të bukur dhe Brady i pozicionuar aty ku duhet e godet me kokë duke mundur Sirigu-n. Irlandezët janë në festë pasi ky rezultat i kualifikon për në 1/8.
Suedia është ekipi që duhet të sulmojë sepse i duhet një fitore për t’u kualifikuar por mesa duket vetëm Zlatan nuk mjafton kundër Belgjikës plot me kualitete. Pak raste por një ndeshje e vrapuar nga të dy ekipet. Rastet më të mira janë të suedezëve me Ibrahimovic dhe Berg që janë lojtarët më në formë në këtë ndeshje. Belgjika luan një ndeshje të qetë dhe nuk kërkon të harxhojë energji të tepërt. Në pjesën e dytë belgët sikur e rrisin pak nivelin dhe mundohen të sulmojnë më shumë, dhe në të njëjtën kohë të zbresin rrezikshëm në kundërsulm. Dhe më në fund rezultati zhbllokohet, teksa Radja Nainggolan godet nga rreth 25 metra distancë dhe e çon topin në të majtë, aty ku nuk mund ta portieri suedez. Ibrahimovic i thotë lamtumirë Evropianit.