Nga Riviera DEDAJ
Anjeza Shabani është emri më i komentuar dhe anatemuar sot ne mbremje në Shqipëri. Por sikur të ishte vetëm një Anjezë dhe vetëm një rast i dhunës ndaj fëmijëve do prisnim dënimin e saj dhe KAQ.
JO, situata është alarmante. Pamjet që transmetoi sonte emisioni “Stop” në TV Klan të lënë një shije kaq të hidhur, një urrejtje që nuk përshkruhet dot me fjalë. Një fëmijë vetëm 3 vjeç dhe për më tepër me probleme në të shprehur rrihet barbarisht në kopësht. Rrihet në një institucion privat, ku prindi paguante. Prindi paguante makabritetin mbi fëmijën e tij. Dhe rrihej pikërisht nga ajo që kishte hapur këtë biznes.
Dhe këtu nis në fakt problemi. Dhjetëra e qindra institucione arsimore në vend janë të palicensuara. Edhe ato që janë të licensuara, rrallë kontrollohen.
Ku është Ministria e Arsimit në këtë rast? Ku është Drejtoria Arsimore Tiranë që e ka detyrë të konrollojë këto institucione? Po Ministria e Mirëqenies Sociale ku është? Kush mban përgjegjësi në këtë vend për shëndetin dhe rritjen e fëmijëve? Janë të gjithë të fokusuar tek reforma në drejtësi. Pse? Shumë e thjeshtë sepse gjyqtarët u duhen…ti përdorin natyrisht! Askush nuk shqetësohet për shëndetësinë dhe arsimin. Andaj pa na ikur shija e hidhur e rastit të të dhunës në jetimoren e Durrësit, vjen ajo e Shkodrës, më tej e sotmja në Tiranë. Pse duhet të presim kameran e fshehtë të radhës, pse? Pse nuk duhet të protestojnë për fëmijët tanë?
Dënimi i Anjeza Shabanit është më e pakta qe duhet të ndodhë dhe mbyllja e këtij aushvici me emrin kopështi Diren.
Ajo që pres unë dhe çdo shqiptar (besoj) është të japë dorëheqjen personi përgjejgjës për kontrollin e kopështeve dhe gjithë institucioneve arsimore në vend. Dhe këtë ta gjejë vetë Kryeministri Edi Rama!
Dikush duhet të përgjigjet në këtë vend për të ardhmen e fëmijëve tanë. Edhe pse mund te duket e ekzagjeruar, ajo qe Stop transmetoi sot, eshte me shume se sa krim. Eshte nje situate e tere kriminale!
/Opinion.al