Nga DIMAL BASHA
Djali im duhet ta dijë gjithmonë se prej nga vjen, dhe e ka me obligim që të kontribuojë për Kosovën ose Shqipërinë sa herë që i jepet mundësia. Mirëpo djali im është ngritur dhe formuar si profesionist në Amerikë, dhe ai nuk i ka asnjë borxh Kosovës e Shqipërisë që t’i përfaqësojë ato para Amerikës. E njëjta vlen për të gjitha ato djem e vasha që rriten e formohen në diasporë, sepse suksesin e tyre nuk ja kanë me borxh vendit ku kanë lindur prindërit e tyre. Prandaj unë si prind e kisha sugjeruar që djali im të përfaqësojë vetëm Amerikën sepse para gjithçka tjetër, djali im është lindur në Amerikë dhe rrjedhimisht lojaliteti i tij duhet të jetë kundrejt Amerikës, vendi ku është lindur, rritur, dhe që i ofron kushte, mundësi, por edhe nuk kursen asgjë për mirëqenien dhe sigurinë e tij
Më duhet të filloj duke thënë se unë bashkë me të shoqen jemi lindur dhe rritur në Kosovë. Sikur shumë tjerë, edhe ne kemi përfunduar në SHBA ku edhe kemi krijuar familje dhe tani kemi dy djem të vegjël. Si pjesa më e madhe e diasporës, unë kam miq dhe familje të ngushtë që vazhdojnë të jetojnë në Kosovë, të cilët i vizitojmë sipas mundësive që kemi. Mirëpo tema nuk është familja ime, as sporti, por është patriotizmi dhe dashuria ndaj vendit nga mërgata që është rritur dhe formuar në vendet perëndimore.
Është krijuar një përshtypje në Kosovë dhe Shqipëri se mërgata shqiptare i ka me borxh atyre suksesin. Edhe pse shqiptarët rriten dhe formohen në një vend si Zvicra ose Amerika, me ngulm kërkohet se ata e kanë me borxh që të kthehen të përfaqësojnë Kosovën dhe Shqipërinë, ose përndryshe janë tradhtarë. Kampionati evropian veç ka filluar të shpalos këtë turbo-patriotizëm në vendet tona. Është vendosur si duket gati unanimisht se ata shqiptare nga mërgata që kanë vendos t’i mbrojë ngjyrat e atij vendi janë hero, ndërsa ata apo ato që kanë vendosur të përfaqësojnë vendet ku janë rritur dhe ngritur janë tradhtarë. Unë jo që nuk pajtoj, por mendoj se ka arsye të shëndosha që shqiptarët e mërgatës të mos luajnë as për Kosovën, as për Shqipërinë, por vetëm vendin që ju ka ofruar kushte për ti rritur dhe formuar në atë që janë sot.
Për hatër të argumentit, ta zëmë hipotetikisht se djali bëhet një futbollist i suksesshëm dhe i ofrohet mundësia që të përfaqësojë një shtet. Ta zëmë se Kosova, Shqipëria, dhe Amerika i ofrojnë që të luaj për to. Unë do ti jap arsyet e mija pse e kisha sugjeruar tim bir që të mos përfaqësojë Kosovën, por as Shqipërinë, por vetëm Amerikën. E them sugjeruar për shkak se vendimi final mbetet i djalit, dhe mua me mbetet vetëm ta këshilloj. Ja arsyet.
E para, djali im është lind n’Amerikë dhe kjo e bën amerikan. Ai ndihet amerikanë sikur krejt fëmijët tjerë, dhe është arsimuar dhe mendon si i tillë.
E dyta, djali im besoj duhet të përfaqësojë ngjyrat e këtij vendi sepse është ky vend që i ofron kushtet dhe mundësitë qe ky të bëhet një futbollist i suksesshëm. Njëjte sikur janë formuar Behrami dhe Shaqiri. Nuk është se prindërit e tyre nuk kanë kontribuar në suksesin e tyre, mirëpo Zvicra ju ka ofruar kushtet dhe mundësitë që të shpaloset talenti i tyre. Ja një pyetje që besoj e sqaron këtë dilemë. Ndaluni pyetne veten sa prej jush besoni se Behrami, Xhaka e Shaqiri do të gëzonin të njëjtin sukses sikur të ishin lindur dhe rritur në Kosovë? Une jam i thellë i bindur se sikur mos t’kishin emigruar prindërit e tyre ne Zvicër, sot Shaqiri ndoshta ishte një i papunë sikur shumë tjerë, kurse Xhaka e Behrami ndoshta ndonjë kamerier. Shkurt, gjasat se Xhaka, Shqiri dhe Behrami do të ishin po aq të suksesshëm sikur të rriteshin në Kosove janë përafvrsisht me zero. Kjo nuk do të thotë se Kosova e Shqipëria nuk kanë lojtarë të talentuar. Ka shumë, sepse kanë aftësitë e njejta, mirëpo në Kosovë (si edhe në Shqipëri) numri më i madh i tyre vdesin si talente të pazbuluara për shkak se asnjëri vend nuk ofron as kushtet më elementare për formimin e lojtarëve profesionistë.
E treta, djali im ja ka me borxh Amerikës përfaqësimin, njëjtë sikur Amerika që ja ka me borxh mirëqenien. Në rast se djalit tim i rrezikohet jeta kudo n’botë, ky shtet është në gjendje të rrezikojë një ushtri për t’ia shpëtuar jetën atij. Ky vend nuk kursen asgjë për jetën e djalit tim, dhe prandaj djali im ja ka me borxh dhe nuk duhet të kursej veten për të përfaqësuar këtë vend para çdo vendi tjetër.
E fundit, kjo nuk do të thotë se djali im s’duhet që të rritet, të kontribuojë, por edhe të trashëgojë dashuri për vendin nga ai vjen. Ai gjithmonë duhet të dijë se prej nga vjen, dhe e ka me obligim që të kontribuojë për Kosovën ose Shqipërinë sa herë që i jepet mundësia. Mirëpo djali im është ngritur dhe formuar si profesionist në Amerikë, dhe ai nuk i ka asnjë borxh Kosovës e Shqipërisë që t’i përfaqësojë ato para Amerikës. E njëjta vlen për të gjitha ato djem e vasha që rriten e formohen në diasporë, sepse suksesin e tyre nuk ja kanë me borxh vendit ku kanë lindur prindërit e tyre. Prandaj unë si prind e kisha sugjeruar që djali im të përfaqësojë vetëm Amerikën sepse para gjithçka tjetër, djali im është lindur në Amerikë dhe rrjedhimisht lojaliteti i tij duhet të jetë kundrejt Amerikës, vendi ku është lindur, rritur, dhe që i ofron kushte, mundësi, por edhe nuk kursen asgjë për mirëqenien dhe sigurinë e tij. /Gazeta Express