Eshtë identifikuar shqiptari që u arrestua dy ditë më parë në Itali, pasi u kap me 80 kg marijuanë dhe 2 kg kokainë e pastër në lokalin që sapo kishte blerë në qytetin e Varezes.
Ai është Florian Kacaj 36 vjeç, emigrant prej vitesh në Itali, i divorcuar nga martesa me një italiane, me profesion mekanik, por i papunë prej kohësh.
Gjithçka nisi nga blerja e një bar kafeje në Castellanza, në zonën ku banonte shqiptari. Ai e kishte blerë pronën me para në dorë, ç’ka ngjalli dyshime tek administrata lokale që lajmëroi karabinierët, të cilët u vunë në ndjekje të 36-vjeçarit shqiptar dhe ushtruan kontroll në lokalin e tij.
Në brendësi të tij u gjetën 4 çanta të mëdha me marijuanë dhe kokainë, kjo e fundit e një cilësie shumë të pastër. Vlera në treg e drogës mendohet të jetë rreth 1.5 milionë euro.
Mediat italiane shkruajnë se ky është një ndër operacionet më të rëndësishëm të anti-drogës në Vareze këtë vit.