Pak orë pasi dështoi gjetja e një kompromisi në takimin e sotëm për reformën në drejtësi, nesër në orën 9 e 30 Partia Demokratike do të zhvillojë një mbledhje me grupin e saj parlamentar, jashtë axhendës.
Mësohet se kreu i demokratëve Lulzim Basha do të informojë deputetët mbi takimin me kryeministrin Edi Rama, raporton panorama.
Ishte ky i fundit që dha lajmin se PD sipas tij e kishte refuzuar miratimin e reformës në drejtësi dhe drafti aktual tha Rama do shkojë në Parlament për miratim dhe mazhoranca nuk e pret më PD-në.
Megjithatë shefi i qeverisë la edhe një shans, kur tha se ka edhe disa orë nga seanca e të enjtes kur mund të bëhen ndryshimet e minutës së fundit.
Por vetë Basha pas takimit tre orësh tha për mediat se mazhoranca synon kapjen politike të drejtësisë ndaj nuk pranon propozimet e opozitës që siç tha ai nuk janë as më shumë e as më pak se ato që ka thënë OPDAT dhe EURALIUS.