Pasi Policia e Tropojës ka dhënë pak a shumë një ide se kush është një nga dy kufomat e gjetura në një bunker në fshatin Mejdan të këtij rrethi, ka shumë spekulime se kujt i përket trupi tjetër.
Nëse kufoma e mashkullit i përket Agim Madanit, kaçakut që ishte kthyer në tmerrin e Tropojës dhe Pejës në Kosovë, trupi i femrës nuk dihet se i kujt është.
Fillimisht ka pasur spekulime se trupi i përket bashkëshortes së Madanit.
Por një denoncim i bërë tek JOQ ngre një tjetër pistë dhe rrëfen një histori të trishtë.
“Sa i përket ngjarjes së fundit në Tropojë, gjithë Tropoja i njeh kush kanë qenë këta persona. Shteti deklaron se njëri ka qenë Agim Madani, por nuk dihet kush është femra. Pse vallë Policia e Tropojës nuk e tregon? E them me sinqeritetin më të madh se ata e dinë se kush është ajo, siç e dimë të gjithë tropojanët. Ajo ka qenë një vajzë nga fshati Shoshan dhe unë e kam kushërirë. Familja e saj është shumë e varfër dhe ajo shkonte të jetonte tek motra e saj në fshatin Kamenicë. Motrën e ka të martuar me djalin e Beqë Ukës. Viktima Agim Madani kalonte nëpër këtë fshat për të shkuar në Kosovë. Aty e ka njohur vajzën dhe e ka rrëmbyer. I ndjeri Beqë Uka ka vdekur në verën e vitit 2015. Por në muajin maj dhe prill të atij viti ai e ka denoncuar humbjen e vajzës në polici dy herë. Por Policia e Tropojës nuk e ka vënë ujin në zjarr për të marrë masa për këtë punë. Por mbi të gjitha janë tallë me personin në fjalë, duke i thënë se ta ka marrë, por do ta sjellë prapë sepse janë në muajin e mjaltit”.