Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim zyrtar me presidentin amerikan Barack Obama dhe zv/presidentin Joe Biden në Shtëpine e Bardhë.
Në përfundim të takimit, kryeministri foli për “Zërin e Amerikës”, ku theksoi se në takimin me presidentin Obama delegacioni shqiptar dëgjoi fjalë të shkëlqyera për Shqipërinë dhe mori përgëzime dhe inkurajim shumë të madh.
“Dëgjuam fjalë të shkëlqyera për Shqipërinë, për përpjekjet tona dhe ndamë së bashku bindjen se ku është një partneritet që do të vazhdojë të forcohet dhe që Shqipëria ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në rajon. Morëm përgëzime dhe inkurajim shumë të madh. Dinamika e re e politikës sonë të jashtme ka sjelle një rritje shumë të ndjeshme të reputacionit tonë. Ky është një fakt i provuar edhe në Shtëpinë e Bardhë.”- deklaroi kryeministri Rama.
Përpara takimit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Edi Rama theksoi se “vizita në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment ku bëhet një rezyme e gjërave që kanë ndodhur dhe ku flitet për bashkëpunimin e mëtejshëm, duke e vënë theksin në ato pika që janë më rëndësi të përbashkët strategjike.”
Sipas kryeministrit Rama, “kjo vizitë është që është një moment shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet tona. Eshtë një kulmim që nuk ndodh çdo ditë, pasi vizita në Shtëpinë e Bardhë përbën një moment ku bëhet një rezyme e gjërave që kanë ndodhur dhe ku flitet për bashkëpunimin e mëtejshëm, duke e vënë theksin në ato pika që janë më rëndësi të përbashkët strategjike. Pra unë marr si një moment të një rëndësie të veçantë për vendin tonë, pasi kjo është një marrëdhënie shumë speciale dhe sigurisht që vizita në Shtëpinë e Bardhë përbën edhe një vlerësim të posaçëm për këtë fazë në të cilën vendi po kalon dhe për rolin e Shqipërisë në rajon.”