Dështojnë tentativat e para për të nxjerrë helikopterin e rrëzuar të Ushtrisë nga ujërat e liqenit të Shkodrës.
Në operacionin për nxjerrjen e helikopterit momentalisht janë palombarët e ardhur nga Tirana, Policia e Shkodrës, forcat e Ushtrisë, ndërsa aty kanë mbërritur edhe forcat RENEA. Vendi ku është rrëzuar helikopteri vijon që të ruhet rreptësisht, ndërsa një mjet lundrues i policisë gjendet afër vendit gjatë gjithë kohës. Prokuroria nuk mund të bëjë ende asnjë hetim të mëtejshëm derisa të nxirret helikopteri EC 145, i blerë vitin e kaluar. Kompania “Eurocopter” ka shfaqur gatishmërinë për t’u përfshirë në hetime, por deri më tani në vendngjarje nuk ka asnjë francez.
Siç mësohet, dje ata kanë mbërritur në Tiranë dhe mendohet që ditën e sotme t’i drejtohen vendit të ngjarjeve bashkë me grupin hetimor dhe të ekspertëve që do të asistojnë në nxjerrjen e helikopterit. Nga sa mësohet, helikopteri ndodhet në një thellësi prej rreth 7 metrash dhe operacioni për nxjerrjen e tij nuk është aspak i lehtë. Forcat RENEA janë përpjekur të arrijnë nxjerrjen nëpërmjet vendosjes së jastëkëve të ajrit, por as kjo tentativë nuk ka rezultuar efikase. Shkak është bërë zhytja e mëtejshme e mjetit dhe ngecja në rërën e liqenit. Ajo që do t’i japë udhë nxjerrjes së shkaqeve që bënë që helikopteri të rrëzohet dhe të marrë jetën e dy pilotëve e një tjetër të plagoset, është kutia e zezë, e cila ende nuk ka dalë nga uji. Ekspertët dhe palombarët vijojnë që të bëjnë të gjitha matjet e duhura për të parë mundësinë e nxjerrjes së helikopterit nga uji.
Siç mësohet, do të tentohet sërish nxjerrja me jastëkë ajri. Pasi të nxirret nga uji, helikopteri do të dërgohet në Ministrinë e Mbrojtjes nga ku edhe do të bëhen hetimet e plota. Paralelisht me Prokurorinë Ushtarake mësohet se po heton edhe një grup i Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa në Shkodër çdo veprim ndiqet nga zëvendësprokurori i rrethit. Disa pjesë të helikopterit janë shpërndarë në liqen nga përplasja e fortë, ndërsa pjesa kryesore e trupit ndodhet nën ujë dhe pritet që të nxirret. Ende nuk ka asnjë version zyrtar për shkaqet e rrëzimit dhe gjithçka mbetet në dyshim. Burime nga grupi i hetimit bënë të ditur se dy pilotët kanë gjetur vdekjen si pasojë e përplasjes dhe jo e asfiksisë. Por gjithsesi ende nuk ka një konfirmim të saktë nga ekspertiza mjekoligjore.
“Helikopteri ka slitë, çka lë të nënkuptohet se jastëkët e ajrit mund të mos kenë funksionuar duke qenë se pilotët ndodheshin të lidhur me rrip dhe nuk kanë tentuar që të hidhen në ujë me mendimin se do të hapeshin jastëkët e ajrit te pjesa e slitës. Një tjetër dyshim është gabimi njerëzor i pilotëve”, u shprehën burime nga Prokuroria. Në lidhje me humbjen e komunikimit me bazën, mësohet se kjo gjë ndodh shpeshherë në zona të tilla në Veri apo në Jug të vendit gjatë fluturimeve për shkak të mungesës së valëve. Ende nuk ka një njoftim zyrtar se kur do të nxirret helikopteri nga ujërat e liqenit të Shkodrës. (panorama)