Mazhoranca dhe opozita kanë ndërprerë çdo komunikim, sa i përket vendosjes së një dialogu politik në lidhje me reformën në Drejtësi.
Prej të enjtes së kaluar, kur opozita vendosi të mos marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm të Reformës, palët nuk kanë zhvilluar negociata për vazhdimin e dialogut.
Burime pranë mazhorancës i thanë Televizionit Klan se, nëse opozita do të konfirmonte pjesëmarrjen, Komisioni do të ishte mbledhur paradite.
Opozita e ka kushtëzuar pjesëmarrjen me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas saj, dhënia e dakordësisë për ndryshimet e Kushtetutës, në një kohë që mazhoranca nuk e respekton atë dhe vendimet e Gjykatës, është e pakuptimtë.
Opozita u largua nga bisedimet në të njëjtën ditë kur mazhoranca refuzoi të dërgonte në Gjykatën Kushtetuese kërkesat për shqyrtimin e papajtueshmërisë së mandateve të deputetëve socialistë, Rakip Suli e Valentina Leskaj.
Para të enjtes, negociatat mes palëve ishin zhvilluar me ndërmjetësimin e Ambasadorit amerikan Donal Lu, i cili prej fundjavës gjendet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Jolldiz Mitro/Tv Klan