TIRANE – Kryetari i Kuvendit dhe i LSI, Ilir Meta tha sot qartë se kush nuk ulet në tryezë për të reflektuar defektet që vuri në dukje Venecia për Reformën në Drejtësi, po bën lojëra politike.
“Nuk ka më asnjë arsye që të vonohemi në dakortësimin e tekstit përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese. Ka patur disa çështje ku janë shprehur mendime të ndryshme dhe mendoj që një lexim objektiv dhe i paanshëm i këtyre rekomandimeve na ndihmon për t’u dhënë zgjidhje gjithë këtyre çështjeve. Aty ku ka lexime të ndryshme, kemi Euralius dhe Opdat dhe me këta mund t’i bëjmë një lexim më objektiv çdo mendimi të Venecias”, deklaroi Meta.
Kreu i Kuvendit foli për takticizma politike dhe dha për këtë edhe sqarimin përkatës.
“Nëse duam të krijojmë pretekste dhe alibi, apo takticizma politike, kjo nuk na bashkon dhe nuk na çon drejt konsensusit. Duhet të çojmë përpara këtë reformë në interes të vendit. Çdo lëvizje që zhvendos debatin me qëllim apo pa dashje nga fokusi kryesor që është reforma në drejtësi është takticizëm politik”, deklaroi ai.