Sa më shumë afron Kongresi i marsit, aq më shumë nxehen gjakrat brenda gjirit të Partisë Socialiste.
Taulant Balla dhe Ben Blushi janë përfshirë në një debat në zgjedhjet që po organizohen në qytetin e Elbasanit për delegatët e Kongresit të Partisë Socialiste.
Në përplasjen e Elbasanit, Ben Blushi e ka akuzuar Ballën se po manipulon zgjedhjet në Elbasan, ndërkohë që Balla i është kundërpërgjigjur duke i thënë Blushit se ka dy vite që as nuk shkon në parti.
Blushi ka reaguar duke i thënë se ai duhej të ishte në Librazhd, në zonën ku është zgjedhur ai deputet, ndërsa Balla i është përgjigjur duke i thënë se ndodhet në Qarkun e Elbasanit.
Blushi ka theksuar se ka informacione se në Partinë Socialiste të Elbasanit një kastë personash kanë në dorë gjithçka dhe se ka marrë shumë shqetësime për këtë nga disa anëtarë e qytetarë. Sa i takon listave të zgjedhjeve të sotme, Blushi ka shtuar se, ato janë të mbushura me njerëz me pushtet që kontrollojnë gjithçka.
Ja debate i plotë mes Taulant Ballës dhe Ben Blushit.
Ben Blushi: Procesi i manipuluar, s’janë njoftuar anëtarët
Taulant Balla: Ke 2 vite që nuk vjen në parti
Ben Blushi: Ti shko në Librazhd, atje je deputet
Taulant Balla: Në Elbasan jam unë
Ben Blushi: Bëni deputet Bukuroshin e Saliut. Në 2007 kreu i Qarkut të PS votoi për presidentin e Saliut. Në Elbasan një kastë ka në dorë gjithçka. Kam marrë shqetësime nga socialistët e Elbasanit. Listat në kaos, të mbushura me njerëz me pushtet, që kontrollojnë gjithçka.
Ndërkohë, me Taulant Ballën ka debatuar edhe një tjetër qytetar, anëtar i Partisë Socialiste, i cili e ka akuzuar atë se e ka lënë të papunë, ndonëse i kishte premtuar se do ta ndihmonte sapo PS të vinte në pushtet. ‘Më latë papunë. Më mashtruat. Duhet të ha bukë” ka thënë ai.