Kisha 670- vjeçare e “Shën Gjergjit” ndodhet ne sheshin po më të njejtin emër në kalanë e qytetit muzeal të Beratit, por ndonëse mbart vlera të mëdha arktiekturore, kulturore dhe historike, sot është lënë në mëshirë të fatit.
Siç duket në foto, pjesa më e madhe e çatisë së saj është shkatërruar duke e nxjerrë këtë monument kulture në qiell të hapur. Xhamat e thyer të dritareve të godinës, të japin përshtypjen e një ndërtese në shesh lufte.
Kjo kishë është rindërtuar dy herë, në vitin 1346 dhe në vitin 1605, pra, 411 vjet më parë.
Ajo ka marrë emrin kisha e “Shën Gjergjit” për të nderuar heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeun.
Vlerat historike dhe kombëtare të kësaj kishe janë të shumta. Në vitin 1990-1991, me vendim të qeverisë së atëhershme, u kthyen disa objekte kishtare, por kisha e “Shën Gjergjit” nuk u kthye dhe ngeli pronë e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, duke vazhduar kështu destinacionin e atëhershëm të shërbimit për pritjen e drejtuesve të shtetit.
Në vitin 1997 objekti u shkatërrua në të gjitha ambjentet e brendshme te tij.
Në muajin maj të vitit 2005 kisha u kërkua nga ana e autoriteteve të mitropolisë së Beratit t’u kthehej besimtarëve ortodoksë, kërkesë e cila u pranua nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, por që nuk u miratua nga instancat përkatëse të Këshillit të Ministrave.
Alteo Hysi