Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, kërkon që të nisë sa më parë puna për realizimin e reformës në drejtësi, e cila prej tre javësh është në një ngërç politik, ku shkak është bërë argumenti për kapjen e sistemit nga qeveria aktuale.
Apeli i tij vjen në një kohë kur deputeti nën siglën e PD-së vëren disi i habitur se tashmë shumë parti, përfshi edhe ajo që ai përfaqëson në Kuvend kanë ndryshuar qëndrim lidhur me Byronë Kombëtare të Hetimit.
“Reformën në drejtësi, them që ta fillojnë një ditë e më parë. Nga qëndrimet e mëparshme dhe ato fillestare, shumë personazhe dhe shumë parti kanë ndryshuar.
Na doli dje që për FBI-në shqiptare qenkan dakord të gjithë, dhe kjo ishte e anatemuar që një vit më parë, dhe unë them që ta bëjnë, meqë edhe paskan rënë dakord.
Ta bëjnë një gjë të mirë, që nga gjithë kjo avari e gjatë dhe e zhurmshme të dalë një rezultat konkret”- tha Shehi në një prononcim për “Shqip”.