Shteti Islamik për të nxitur njerëzit t’i bashkohen kësaj organizate lëshon herë pas here video në Yotube. Një e tillë me emrin “Hilafeti” është edhe në gjuhën shqipe.
Në videon në “Youtube”, të përkthyer në gjuhën shqipe, nuk kursehen as fëmijët të cilët prezantohen si pjesëtarë të ISIS-it. Këto video ndodhen edhe në faqen me emrin “Hilaffeti” e cila në ballinë ka flamurin e ISIS-it, ndërsa në gjuhën shqipe poston lajme nga aktivitetet e pjesëtarëve të këtij grupi ekstremist.
Video mendohet se është titruar në shqip nga radikalët kosovarë.
“Drejtoria kundër terrorizmit, në bashkëpunim me Njësinë e Krimeve Kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës, monitoron ueb-faqet apo rrjetet sociale, të cilat propagandojnë ideologjinë ekstremiste, apo që përdoren për të bërë thirrje apo për rekrutim të individëve”, thotë policia e Kosovës.
Organet e rendit pranojnë se ky fenomen mbetet sfidë për të gjitha institucionet e sigurisë, jo vetëm në Kosovë.
Organizata të ndryshme nga shoqëria civile thonë se radikalizmi online është në rritje bashkë edhe me përdorimin e internetit, shkruan gazeta Express.