“Granit Xhaka nuk do të largohet nga Borussia Monchengladbach”, kështu ka thënë drejtori sportiv i Gladbachut, Max Eberl.
Pas spekulimeve të shumta se mesfushori shqiptar, Granit Xhaka, do të largohet nga Borussia Monchengladbach, menjëherë ka reaguar klubi gjerman nëpërmjet drejtorit sportiv Max Eberl.
Maxc Eberl ka insistuar se klubi nuk ka pranuar ndonjë ofertë as nga Arsenali apo ndonjë skuadër tjetër që flitet se po e kërkojnë Xhakën.
Përveç kësaj, Eberl ka përsëritur edhe njëherë se Gladbachu nuk e kanë ndërmend që ta shesin mesfushorin shqiptar që e konsiderojnë shumë të rëndësishëm për skuadrën e tyre.
“Nuk ka oferta, nuk ekziston një shifër që e kam parë të shkruar me të zeza në letër të bardhë dhe nuk ka asnjë kontakt me Arsenalin”, u shpreh ai për “Sport1.de”, transmeton Goal.com.
“Dua të sqaroj një gjë: Granit Xhaka dëshiron të mbetet në Monchengladbach dhe ne nuk duam ta shesim”, shtoi Eberl.
“Ai është një super futbollist për ne dhe do ta zhvillojë pjesën e dytë të sezonit këtu. Sa i përket shifrave që janë duke qarkulluar, ato më befasojnë”, përfundoi drejtori sportiv i Gladbachut.