Zhvillime të papritura për Bernard Berishën. Në një kohë që klubi korçar, vetë lojtari dhe menaxheri i tij kanë bërë fakt të kryer transferimin te klubi i Anzhit, gjasat janë që marrëveshja me rusët të prishet.
Në orët e fundit ka dalë në skenë një interesim i Udinezes. Mediat italiane zbuluan dje se klubi i Serisë A po këmbëngul për të blerë mesfushorin e Skënderbeut.
“Duke pritur ardhjen e Valon Behramit, presidenti i Udinezes po përgatit edhe blerjen e Bernard Berishës nga Skënderbeu”, shkruante dje portali “sportmediaset.it”, që përfaqëson gjigandin mediatik italian “Mediaset”.
Më të besueshëm bëhen zërat për një transferim të Berishës tek Udineze kur kontakton presidentin Ardjan Takaj. Ishte ky i fundit që pak ditë më parë zyrtarizoi transferimin e Berishës në Rusi, por dje në mbrëmje, në një bisedë për “Panorama Sport”, i pyetur për Berishën, deklaroi:
“Ajo që mund të them aktualisht është se për Berishën kemi një ofertë zyrtare nga Anzhi. Mirëpo, e vërteta është se transferimi nuk është mbyllur ende. Gjithashtu, mund t’ju konfirmoj se jemi në dijeni për interesimin që klubi i Udinezes ka për Berishën”