Kreu i Kuvendit, Ilir Meta foli sot në intervistën e parë të vitit 2016 për një sërë çështjesh të rëndësishme dhe axhendën politike që ka në fokus reformën në drejtësi.
Përballë gazetares Eni Vasili në emisionin “Studio e Hapur” në News-24, kryeparlamentari Meta, foli edhe për dekriminalizimin, për ndryshimet kushtetuese dhe reformën zgjedhore.
Meta ka shuar zërat për marrëdhëniet e ngrira me kryeministrin Rama, duke theksuar se marrëdhëniet me të janë të qendrueshme e bashkëpunuese.
Gjithashtu kreu i Kuvendit deklaroi se emri i tij nuk është përmendur nga avokatët e qeverisë shqiptare në raportin për çështjen e shumëpërfolur CEZ-DIA, të cilin e quajti organizim mafioz, kriminal, mediatik. Madje sipas kreut të Kuvendit, emri i tij në këtë çështje ishte spekulim, që erdhi pas rezultatit që pati LSI në zgjedhjet e fundit lokale.
Kërkesën e hetimit amerikan për çështën CEZ-DIA, Meta tha se e bëri si kundërpërgjigje ndaj gjithë atyre që kishin keqpërdorur emrin e Ambasadës Amerikane, duke e etiketuar si nxitësen kundër tij.
Në lidhje me reformën në drejtësi Meta tha se mbështet disa prej deklarimeve të ambasadorit Amerikan Donald Lu, por shtoi se standardi i kësaj reforme nuk varet nga ora që një gjyqtar apo politikan mban në dorë.