Partia Demokratike nuk ka hequr dorë nga testi i drogës, në arritjen e marrëveshjes me mazhorancën për dekriminalizimin. Ka qenë Kryetari i Komisonit të Posaçëm, Oerd Bylykbashi, i cili ka kundërshtuar zërat se PD është tërhequr nga kjo kërkesë. Bylykbashi tha se marrëveshja nuk është e realizueshme pa u plotësuar të gjitha pikat e saj. Kjo deklaratë duket se rrëzon pritshmëritë e Partisë Socialiste, vecanërisht pas deklaratës së djeshme nga Ermonela Felaj, e cila la të kuptohet se Pd ishte tërhequr nga kjo kërkesë. “Testi i drogës është diçka që PD nuk është tërhequr dhe e rikonfirmoj këtë, çdo gjë tjetër është spekulim. Pavarësisht marrëveshjes në princip që mund të kemi për çështje të caktuara, po nuk u arrit dakordësia për çdo element i cili e bën të zbatueshëm marrëveshjen sigurisht që nuk do të kishim një ligj. Askujt nuk i duhet një ligj që deklaron ggëra të mira në parim, por që nuk funksionon në detaj”,- u shpreh Bylykbashi.