Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po trajton Shqipërinë si “çiflig personal”, duke iu referuar librit “Albanian Files”, për të cilin tha se përbën “akuzën më të rëndë” ndaj kreut të qeverisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se libri, i cili sipas tij ka parathënie të Edi Ramës, dëshmon se zonat më të lakmuara të vendit po u jepen për zhvillim grupeve kriminale dhe trafikantëve.
“Libri i kuq ‘Albanian Files’, me parathënie të Edi Ramës, është libri me të cilin Edi Rama fakton shqiptarëve dhe botës se konsideron Shqipërinë një çiflig të tij. E dyta, se këtë çiflig ia ka dhënë për zhvillim karteleve të drogës, baronëve të drogës, organizatave kriminale shqiptare dhe ndërkombëtare”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, botimi përbën një akuzë të rëndë ndaj kryeministrit, pasi, siç tha ai, tregon se Rama nuk respekton Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Berisha krahasoi qasjen e Ramës me atë të “sulltanëve të shekujve më parë”, duke pretenduar se kryeministri i konsideron brigjet, liqenet, kodrat dhe malet e Shqipërisë si pronë personale, të cilat ua vë në dispozicion individëve të lidhur me krimin.

















