Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i është ankuar Donald Trumpit për retorikën gjithnjë e më armiqësore ndaj Izraelit nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe i ka kërkuar presidentit amerikan, i cili do të takohet me Erdoganin gjatë samitit të NATO-s në Ankara, të përmbahet nga miratimi i shitjes së sistemeve të armatimit që do ta ndihmonin Turqinë të modernizonte forcën e saj ajrore.
Në qendër të marrëdhënieve ushtarake mes SHBA-ve dhe Turqisë është një marrëveshje prej 700 milionë dollarësh për motorë të rinj për avionët luftarakë turq, si edhe mundësia që Ankaraja të rikthehet në programin F-35, nga i cili u përjashtua në vitin 2019 pasi bleu sistemin rus të mbrojtjes ajrore S-400. Sipas Uashingtonit, ky sistem mund të komprometojë aftësitë dhe sigurinë teknologjike të avionit luftarak të avancuar F-35.
Javën e kaluar, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se Pentagoni po zhvillon një rishikim për të përcaktuar se si Shtetet e Bashkuara mund t’ia shesin avionët F-35 Turqisë, pavarësisht se ajo zotëron sistemin rus të mbrojtjes raketore. Netanyahu ndau të njëjtin mendim në një intervistë për Fox News duke përmendur një sërë deklaratash anti-izraelite të zyrtarëve të lartë turq dhe duke pohuar se Turqia mbështet “forcat e gabuara” në rajon.
Më tej, kryeministri izraelit sulmoi drejtpërdrejt Erdoganin, duke pretenduar se lideri turk po kërcënon Izraelin dhe vende të tjera anëtare të NATO-s.
“Kur bëhet fjalë për një regjim të infektuar nga Vëllazëria Myslimane, një lëvizje ekstremiste që urren Amerikën, nuk besoj se duhet t’u jepen avionët F-35 apo motorët për avionët e tyre luftarakë, sepse kjo do të ndryshonte ekuilibrin e fuqisë në Lindjen e Mesme, i cili garantohet nga epërsia ajrore e Izraelit dhe prania strategjike e Amerikës”, deklaroi Netanyahu.
Ndërkohë, ambasadori izraelit në Shtetet e Bashkuara, Yechiel Leiter, njoftoi gjatë një takimi me Këshillin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Uashington se raundi i ardhshëm i bisedimeve mes Izraelit dhe Libanit do të zhvillohet javën e ardhshme, më 15 dhe 16 korrik, në Romë.
Lajmi është konfirmuar për agjencinë italiane ANSA edhe nga Ambasada e Izraelit në Uashington. Takimi do të mbahet sërish në nivel ambasadorësh.
Gjatë të njëjtit aktivitet, Leiter deklaroi gjithashtu se presidenti i Libanit, Joseph Aoun, do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump më 21 korrik./Corriere
















