Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi nga Elbasani se personat që kanë ushtruar dhunë ndaj Policisë së Shtetit gjatë protestës së fundit nuk kanë lidhje me të drejtën për të protestuar, por janë vandalë që do të përballen me ligjin.
“Një grup, një grusht personash, të cilët me gurë në duar dhunojnë punonjësit e zbatimit të ligjit, çdo punonjës tjetër që kalon aty pranë dhe dëmtojnë pasurinë publike, në fakt nuk janë protestues. Ata janë thjesht vandalë”, u shpreh ministri.
Ai tha se sipas të dhënave dhe pamjeve të administruara, efektivët e policisë janë goditur me gurë dhe sende të forta, duke shkaktuar plagosje të disa prej tyre, si dhe janë regjistruar dëmtime të mjeteve dhe pronës publike.
“Unë e pashë vetë atje një punonjës policie, i cili pasi ishte nënshtruar ekzaminimit mjekësor, përmes skanerëve nga ekipi mjekësor, me çarje të theksuar në kokë dhe një tjetër person. Pa dyshim kurdoherë që janë konstatuar dhe janë dokumentuar dhe me video, me pamje të hedhura tashmë dhe në rrjetet sociale dhe në mediat kombëtare, ku protestues të quajtur paqësorë, të pretenduar të tillë dhe nga deputetë të opozitës, në fakt, ishte shumë e qartë që ata po dhunonin punonjësit e Policisë, me gurë dhe sende të forta, po intimidonin deputetët e Parlamentit shqiptar për t’u futur në ambientet ku ato janë zgjedhur për të ushtruar detyrën e tyre, si dhe po dhunonin dhe gazetarë. Nuk po flas për mjetet e Policisë, të cilat u panë qartë që u shkatërruan nga protestues, të ashtuquajtur paqësorë, por që unë nuk mendoj se ata mund të quhen protestues. Ata nuk kanë të bëjnë fare me protestën”, deklaroi ministri.
Këto deklarata ministri Lamallari i bëri gjatë vizitës në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ministri inauguroi ambientet e rikonstruktuara të institucionit, duke theksuar përmirësimin e kushteve të punës për 332 punonjës dhe rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

















