Gjykata e Korçës ka lënë në burg Nikolla Agollin dhe David Priftin pas plagosjes me armë zjarri të Brian Syzos në Pogradec.
Seanca gjyqësore për 24-vjeçarin dhe shokun e tij zgjati 2 orë. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për “vrasje me paramendim, në bashkëpunim”, mbetur në tentativë, si dhe armë pa leje.
Gjatë seancës për masën e sigurisë, autori Nikolla Agolli ka pranuar se ka qenë një konflikt çasti mes tij dhe Brian Syzos. Sipas dëshmisë së tij para togave të zeza, ai është shprehur se është sulmuar nga Briani dhe ka qëlluar ndaj tij për ta neutralizuar dhe që ai të ndalonte sulmin. “Kisha mundësi ta vrisja dhe nuk e bëra” – ka thënë autori.
Sa i përket të arrestuarit tjetër, David Prifti, ai ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen. Sipas dëshmisë së dhënë në seancë, Davidi është shprehur se nuk ka gisht në këtë ngjarje.
Makinën e tij ja ka dhënë Nikollës dhe ka ikur me makinën e të fejuarës për në plazh. Ndër të tjera, Prifti ka thënë se ka kamera sigurie në vendet ku ka qenë, çka vërtetojnë që s’ka gisht në ngjarje.
Në vijim pritet të verifikohen nga prokuroria kamerat e qytetit, ndërsa momentalisht nuk ka patur përgjigje nga ana e grupit hetimor lidhur me transkriptimin e filmimeve të kamerave të sekuestruara.

















