Kryeministri Edi Rama ka publikuar një foto të Edviol Kullurit, një prej 13 nismëtarëve që firmosën letrën drejtuar ambasadave lidhur me 5 kërkesat e tyre për qeverinë, shoqëruar me skedën e veprave të tij penale.
Në ‘skedë’, Kulluri figuron me precedentë penalë për dhunë, vjedhje energjie, kanosje etj. Në total, ka 8 procedime penale ndaj tij nga viti 2014 deri në 2022.
Kulluri është hartuesi i platformës dixhitale për ‘Kuvend Kombëtar’ me 150 anëtarë. Krah tij, parashtrohet ideja për një tjetër Kuvend më të zgjeruar së bashku me diasporën që do të numërojë rreth 300 anëtarë. Kriteret e përzgjedhjes janë ende të paqarta ndërsa një prej kushteve është pranimi parimisht i formimit të Shqipërisë etnike.
“Njihuni me kontributin mbresëlënës për atdheun të njërit prej 13 flamurtarëve firmëtarë të protestës së bulevardit, ku sorrat dhe korbat i kanë marrë përfundimisht peng flamingot, nën maskën e “Shqipërisë së Re”:
I proceduar:
– 2014 – Rrahje në bashkëpunim, Tiranë
– 2016 – Vjedhje energjie, Tiranë
– 2016 – Rrahje në dëm të një shtetaseje, Tiranë
– 2017 – Rrahje në grup, Durrës
– 2019 – Pjesëmarrje në protestë të paligjshme, pengim qarkullimi i automjeteve, pengim i IMT për prishjen e ndërtimit të paligjshëm, Vlorë
– 2020 – Kanosje & plagosje e lehtë, Vlorë
– 2021 – Kanosje ndaj një shtetaseje grua, Vlorë
– 2022 – Dhunë në familje ndaj xhaxhait të tij, Vlorë”, thuhet në postimin e Ramës.
Sipas postimit të Përparim Gjekës një ditë më parë, i cili ndau platformën e hartuar nga Edviol Kulluri, ka një sërë kriteresh për ata që synojnë të bëhen pjesë e Kuvendit Kombëtar, por nuk është e qartë si do të bëhet konkurrimi dhe përzgjedhja. Për momentin, anëtarët e grupit kanë lënë si pikë kontakti numrat e tyre personal të telefonit, dhe jo një numër unik.
Sipas Platformës si Kuvendi, ashtu dhe Këshilli Ekzekutiv si dhe Mbledhja e përgjithshme do të ushtrojnë kontrollin e popullit mbi qeverinë dhe shtetin, për të moslejuar nëpërkëmbjen e të drejtave të qytetarëve” dhe “nuk konkurrojnë me institucionet kushtetuese”, por paraqiten si garantë të vullnetit popullor duke thirrur menjëherë protesta kur “qeveria dhe parlamenti gabojnë rëndë”.
Kuvendi, përkufizohet si “institucion shoqëror që qëndron mes shoqërisë e popullit, dhe elitës ekzekutive të popullit”.
Janë të paktën 11 kritere që duhen përmbushur për të qenë pjesë e Kuvendit me 150 anëtarë. Ndërsa në pikën e parë duhet që të njohin Skënderbeun si figurë madhore të kombit, në pikën e dytë duhet të shprehin dakortësinë në parim për formimin e Shqipërisë etnike.
Kuvendi mblidhet normalisht 1 herë në vit, dhe zgjedh nga radhët e tij dhe një Këshill Ekzekutiv me 21 anëtarë. Është e paqartë se cilat janë kompetencat e këtij Këshilli i cili “krijon grupe pune teknike për të bërë detyra të ndryshme”, po pa përcaktuar se cilat dhe të cilës natyrë.
















