Kryeministri Edi Rama i konsideroi protestat e qytetarëve për pakënaqësitë ndaj klasës poltike, dhe projektin në Zvërnec si një shembull të ndikimit të rrjeteve sociale dhe algoritmeve në formësimin e opinionit publik, duke theksuar se zemërimi ndaj tij dhe Partisë Socialiste u kanalizua përmes një kauze që, sipas tij, u shndërrua në një betejë globale ideologjike.
Gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave, Rama tha: “miliona njerëz që nuk dinë as ku ndodhet Zvërneci, dinin saktësisht se çfarë duhet të mendonin për Zvërnecin”, duke shtuar se kjo ndodhi jo për shkak të njohjes së projektit apo dokumentacionit, por sepse “tek brishtësia e bukur e një zogu identifikuan simbolin e një rezistence antikapitaliste”.
Sipas kryeministrit, kjo histori hapi një kanal të ri për shprehjen e pakënaqësive politike.
“U gjet tek ai zog valvula e shfryrjes së një mllefi total, ku më bukur se asnjëherë u hap edhe një kanal për mllefin kundër meje, kundër jush dhe kundër Partisë Socialiste të Shqipërisë. Ky është, sipas meje, mësimi i parë i kësaj historie”, deklaroi Rama.
“Kjo kohë e re, ku edhe një ngjarje lokale bëhet përplasje globale, nuk transporton më vetëm mallra, dije apo mundësi të reja. Transporton zemërime, paragjykime, agresione dhe gënjeshtra shumë më shpejt sesa transporton faktet”, tha kreu i qeverisë.
“Jetojmë në një kohë ku algoritmet udhëtojnë më shpejt sesa vërtetësia e lajmeve, ku emocionet mbërrijnë përpara fakteve dhe ku shumë shpesh perceptimi bëhet e vërteta, ndërsa e vërteta mbetet krejt jetime”, u shpreh ai.

















