Rritja e numrit të punonjësve të huaj në Durrës po reflektohet edhe në statistikat zyrtare.
Vetëm gjatë muajit të kaluar, Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin në Durrës ka miratuar 701 leje qëndrimi për shtetas të huaj që jetojnë dhe punojnë në zonë, ose 78 për qind më shumë aplikime krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një pjesë e mirë e tyre janë angazhuar në sektorin e turizmit, ku bizneset po përballen me mungesë stafi.
Recepsionisti nga Filipinet, Rodrigo Ramos, thotë: “Shumë mirë gjithçka. Që nga aeroporti, ku erdhën e më morën. Më dhanë akomodim, më siguruan uniformën e duhur dhe pozicionin e punës në recepsion. Kjo është vërtet e mrekullueshme për një punëtor të huaj, emigrant si unë.
Nuk është e lehtë, po kjo është ëndrra jonë dhe kjo është gjithçka që kam dashur. Kam 12 vjet që punoj jashtë vendit, larg familjes sime. Kuptohet ka disa bariera gjuhësore, por besoj se mund ta mësoj gjuhën, si kam bërë dhe më parë.”
“Ndihem mirë dhe komode. Merrem vesh mirë me mbikëqyrësit e mi, me kolegët e punës e stafin. Punoj me kontratë si sanitare dhe jam e kënaqur me pagën. Ndihmoj dhe familjen në Ugandë”, u shpreh Joana Kinkonko nga Uganda.
Hotele, bare dhe restorante përgjatë vijës bregdetare dhe në qytet po mbështeten gjithnjë e më shumë te punonjësit e ardhur nga vendet aziatike dhe afrikane. Operatorët turistikë thonë se kërkesa për shërbime është rritur, ndërsa gjetja e punonjësve vendas mbetet një sfidë.
Drejtues i Rajonit Qendror të ATU Blerim Norja, thotë: “Këtë vit ka pasur një kërkesë të lartë nga agjencitë për të sjellë punonjës të huaj sidomos nga Filipinet, India, Bangladeshi dhe vendet e Afrikës…
Kjo është një zgjidhje emergjente. Pra preferencat janë për punonjës shqiptarë, po kur nuk plotësohen nevojat, janë të detyruar të marrin punonjës të huaj.”
Nga ana tjetër, punonjësit shqiptarë e lidhin mungesën e interesit për këto vende pune me pagat dhe kushtet e punës, duke bërë që shumë të rinj të kërkojnë alternativa të tjera brenda ose jashtë vendit.
“Punë ka, po shumica e të rinjve duan rrogë të madhe dhe e dimë që në Shqipëri nuk ka, po tani në sezon ke punë ku të duash”, shprehet një i ri vendas.
E ndërsa sezoni turistik po shton ndjeshëm nevojat për staf, prania e punonjësve të huaj po bëhet një realitet gjithnjë e më i dukshëm në tregun vendas te punës.

















