Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Serbi u jep shtetësi rusëve të sanksionuar nga SHBA, BE paralajmëron rrezik sigurie

2026/06/11 at 2:50 PM
në Bota, Te Fundit
Kohë leximi: 8 min
A A
Serbi u jep shtetësi rusëve të sanksionuar nga SHBA, BE paralajmëron rrezik sigurie

Që nga fillimi i këtij viti, Qeveria e Serbisë u ka dhënë shtetësi katër herë më shumë shtetasve rusë sesa të gjithë shtetasve të tjerë të huaj së bashku.


Në mesin e tyre ka edhe rusë që janë nën sanksione ndërkombëtare, ka konstatuar Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL) përmes analizës së vendimeve të Qeverisë serbe.

Qeveria e Serbisë i jep këto shtetësi duke i arsyetuar me “interesa” për Serbinë.

Valerij Kazikajev është shtetas i Serbisë që nga 16 janari.

Ai ndodhet në listën e sanksioneve amerikane që nga prilli i vitit 2023, për shkak të lidhjeve të biznesit me oligarkun rus, Alisher Usmanov.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk e ka komentuar për REL-in vendimin e Qeverisë së Serbisë për t’i dhënë atij shtetësi.

Një tjetër bartës i ri i pasaportës serbe është shtetasi rus, Sergej Kondratenko, i cili e mori shtetësinë më 13 nëntor 2025.

Ai ndodhet nën sanksionet ukrainase për “veprime në dëm të interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare”.

Shtetas i ri i Serbisë është edhe Igor Koljushev, inxhinier rus ndërtimi në fushën e urave.

Ai është nën sanksione ukrainase që nga viti 2022.

Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe Ambasada e Ukrainës në Beograd nuk iu përgjigjën menjëherë pyetjeve të REL-it lidhur me dhënien e shtetësisë serbe personave që janë nën sanksione ukrainase.

As Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve se pse po u jep shtetësi qytetarëve rusë të sanksionuar.

Qeveria e Serbisë ka vazhduar trendin e dhënies gjithnjë e më të shpeshtë të shtetësisë për shtetas rusë, pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit se kjo u mundëson atyre hyrje pa viza në Bashkimin Evropian.

Kjo është theksuar edhe në një non-paper të fundit të Komisionit Evropian, në të cilin REL-i ka pasur qasje.

Në këtë dokument paralajmërohet se përfitimi i përshpejtuar i së drejtës për udhëtim pa viza në BE nga shtetas rusë përmes marrjes së shtetësisë serbe — numri i të cilëve është rritur — paraqet rrezik të mundshëm sigurie për BE-në.

“Serbia jo vetëm që nuk po vendos sanksione ndaj Rusisë, por në mënyra të ndryshme po e anashkalon politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”, tha për REL-in Bojana Sellakoviç nga organizata joqeveritare Konventa Kombëtare për BE-në.

Si vend kandidat për anëtarësim, Serbia ka regjim pa viza me BE-në dhe detyrim për harmonizim të politikës së jashtme me të.

Megjithatë, ajo nuk ka vendosur viza për qytetarët rusë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve që BE-ja i ka vendosur Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Kush janë personat e sanksionuar me pasaportë serbe?
Valerij Kazikajevit i janë vendosur sanksione amerikane me qëllim “pengimin e mëtejshëm të importit të teknologjive kritike që Rusia i përdor në luftën e saj kundër Ukrainës”.

Këto masa iu vendosën në prill të vitit 2023 për shkak të lidhjeve të tij të biznesit me miliarderin rus, Alisher Usmanov.

Sipas të dhënave të Zyrës amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja, OFAC, Kazikajev është një nga anëtarët e lartë të menaxhmentit ose bordeve drejtuese të kompanive në sektorin e metaleve dhe minierave të lidhura me Usmanovin — Metalloinvest dhe Udokan Copper.

Kazikajev është, gjithashtu, pronar i kompanisë sllovake KTH Group Spol SRO. Edhe kjo kompani është nën sanksione amerikane.

Ukraina i vendosi sanksione Kazikajevit në nëntor të vitit 2023. Masat përfshijnë ngrirjen e pasurisë, ndalimin e aktivitetit të biznesit dhe një sërë kufizimesh të tjera financiare.

REL-i nuk arriti të kontaktojë me Valerij Kazikajevin.

Oligarku Alisher Usmanov, i afërt me pushtetin në Kremlin, është një nga rusët më të pasur.

Ai ka biznese në fushën e minierave, industrisë së metaleve, telekomunikacionit dhe teknologjisë së informacionit.

Shtetet e Bashkuara e vendosën Usmanovin në “listën e zezë” në mars të vitit 2022.

Në arsyetim thuhet se ai është i afërt me disa zyrtarë të lartë rusë që janë nën sanksione amerikane, përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin, si dhe Dmitry Medvedevin, zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë.

Departamenti amerikan i Thesarit thotë, gjithashtu, se Usmanov ka në dispozicion një rrjet kompanish të regjistruara në të ashtuquajturat parajsa fiskale, përmes të cilave mund të kryejë transaksione financiare – çka potencialisht i mundëson anashkalimin e sanksioneve.

Ai është gjithashtu nën sanksionet e Australisë, Kanadasë, BE-së, Japonisë, Zelandës së Re, Zvicrës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Sergej Kondratenko, një tjetër shtetas rus që ka marrë së fundmi pasaportë serbe, është sanksionuar nga autoritetet ukrainase.

Autoritetet ukrainase kanë konstatuar se Kondratenko është pronari përfundimtar i kompanisë Royal Pay Europe, ndaj së cilës Ukraina vendosi sanksione në vitin 2023 për “veprime në dëm të interesave kombëtare dhe sigurisë kombëtare”.

Këtë e tregojnë të dhënat e degës ukrainase të organizatës Transparency International.

Royal Pay Europe është e regjistruar në Letoni, dhe merret me pagesa elektronike dhe shërbime të tjera financiare.

Byroja Shtetërore e Hetimeve e Ukrainës nisi në vitin 2023 një procedurë penale ndaj kësaj kompanie për përvetësimin e më shumë se 30 milionë eurove, që bankat e huaja kishin ndarë për njërën nga bankat komerciale ukrainase.

“Sipas materialeve të atij hetimi, gjatë luftimeve në rajonin e Harkivit, kompania u përpoq të riregjistronte të drejtat pronësore mbi pasuritë e paluajtshme të një banke ukrainase që ishte në proces likuidimi”, thuhet nga Transparency International.

Me vendim të Gjykatës së Lartë Kundër Korrupsionit në Ukrainë në vitin 2024, kompanisë iu konfiskua pasuria në atë vend, në vlerë prej rreth 44 milionë dollarësh. Këto para u transferuan në buxhetin shtetëror të Ukrainës.

Gjatë hetimit, autoritetet ukrainase të sigurisë e lidhën Kondratenkon edhe me një rrjet rus bastesh.

Sergej Kondratenko nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it, të dërguar në një adresë elektronike, të njohur për redaksinë.

Igor Koljushev, inxhinier rus i ndërtimit në fushën e urave, është nën sanksione ukrainase që nga viti 2022.

Masat ndaj tij lidhen kryesisht me ndalimin e nxjerrjes së kapitalit nga Ukraina dhe me kufizime të rrjedhave financiare.

Sipas të dhënave të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Koljushev është drejtor teknik i Institutit Giprostroymost në Shën Petersburg.

Kjo është një nga kompanitë kryesore ruse të specializuara në projektimin e urave dhe objekteve të transportit.

REL-i nuk arriti të kontaktojë as me Koljushevin.

Në prill, shtetësi serbe mori edhe Yakub Zakriyev, nip i udhëheqësit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, por Qeveria e Serbisë e tërhoqi atë vendim katër ditë më vonë.

Zakriyev ndodhet në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për shkak të përfshirjes së tij në institucionet e Rusisë.

Nën sanksione të SHBA-së dhe BE-së është edhe vetë Kadyrov, i cili prej vitesh përballet me akuza për shpërfillje të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë rrëmbime, tortura, vrasje dhe përndjekje të pjesëtarëve të komunitetit LGBT.

Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve as për dhënien, as për anulimin e shtetësisë për nipin e Ramzan Kadyrovit.

Në shtator të vitit 2025, Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN), raportoi se së paku katër shtetas rusë kishin marrë shtetësi serbe me vendim të Qeverisë së Serbisë, ndonëse ishin nën sanksionet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë.

Sipas këtyre raportimeve, shtetësi serbe morën tre menaxherë të gjigantit rus të energjisë, Gazprom.

Shtetësi mori edhe Ruslan Alisultanov, ish-zëvendësministër i Bujqësisë i Çeçenisë dhe biznesmen, i cili sot prezantohet si udhëheqës në industrinë ushqimore të Rusisë.

Portali hulumtues KRIK dhe portali rus Important Stories raportuan në prill të vitit 2025 se në mesin e personave të cilëve Qeveria e Serbisë u kishte dhënë shtetësi kishte disa rusë të lidhur me elitën politike të Kremlinit, dhe me Shërbimin Federal të Sigurisë së Rusisë, FSB.

Ata raportuan, gjithashtu, për persona të lidhur me industrinë ushtarake, për njerëz që u pasuruan gjatë luftës në Ukrainë dhe për figura të lidhura me gjigantë të tjerë të biznesit.

Për Serbinë “interes”, për BE-në “rrezik sigurie”
Analiza e REL-it tregon se vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, 44 shtetas rusë morën shtetësi serbe me vendim të Qeverisë së Serbisë.

Nga fillimi i vitit 2022 deri në qershor të këtij viti, më shumë se 300 rusë kanë marrë shtetësi serbe.

Kjo u konstatua përmes shqyrtimit të vendimeve të Qeverisë së Serbisë për dhënien e shtetësisë, të publikuara në Gazetën Zyrtare.

Ky nuk është numri përfundimtar, sepse edhe Ministria e Brendshme jep shtetësi sipas procedurës së rregullt, nëse plotësohen kushtet e caktuara.

Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa shtetas rusë kanë marrë shtetësi serbe që nga viti 2022.

Qeveria e Serbisë mund të japë shtetësi sipas një procedure të veçantë dhe të përshpejtuar ligjore, e cila arsyetohet me “interes për Serbinë”.

Megjithatë, ajo që për autoritetet serbe paraqet “interes për Serbinë”, për BE-në është një “sfidë e mundshme sigurie”.

Shtetësi serbe marrin sportistë dhe artistë rusë, por edhe biznesmenë të lidhur me Kremlinin dhe persona të sanksionuar.

Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it se çfarë do të ndërmarrë lidhur me paralajmërimet e Brukselit, e as se si e shpjegon rritjen e numrit të shtetësisë serbe të dhënë rusëve.

Marko Todoroviç nga organizata joqeveritare Qendra për Politika Evropiane, CEP, thotë se nga Serbia pritet që t’i ketë parasysh interesat e BE-së kur merr vendime që ndikojnë në sigurinë e hapësirës Shengen.

“Kur BE-ja, nga kujdesi, po shqyrton se si t’ua vështirësojë qytetarëve rusë marrjen edhe të vizave turistike, tendenca në Serbi për t’u dhënë atyre shtetësi që automatikisht ua hap derën Shengenit duket si lëvizje në drejtim krejtësisht të kundërt”, tha ai për REL-in.

Disa vende anëtare të BE-së po bëjnë presion ndaj Komisionit Evropian që të propozojë një ligj që do ta lehtësonte refuzimin e vizave turistike për shtetas rusë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas të dhënave të BE-së, numri i vizave turistike të lëshuara për qytetarët rusë për hapësirën Shengen u rrit gjatë vitit 2025 në gati 480.000 — niveli më i lartë që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Sa rusë ka në Serbi?

Falë regjimit pa viza, mijëra shtetas rusë kanë kaluar nëpër Serbi pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë.

Disa ikën nga mobilizimi, të tjerë erdhën për të vazhduar pa pengesa biznesin me vendet perëndimore.

Sipas të dhënave të fundit të disponueshme të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, të cilat REL-i i mori përmes kërkesës për qasje në informacion publik në janar të vitit 2025, pak më shumë se 48.000 shtetas rusë kishin qëndrim të përkohshëm në Serbi.

Ministria e Brendshme nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it se sa janë aktualisht në Serbi deri në publikimin e këtij teksti.

Çfarë rrezikon Serbia?

Duke u dhënë shtetësi personave të sanksionuar, sipas Marko Todoroviçit nga CEP-i, Serbia po i rrezikon drejtpërdrejt integrimet e veta evropiane dhe po e minon komunitetin të cilit synon t’i bashkohet.

“Kjo sugjeron se ekziston ndikim rus në pjesë të aparatit politik dhe të sigurisë, të cilat i bëjnë këto ‘shërbime’ me shpresën se do të kalojnë pa u vërejtur, ose madje pa u shqetësuar fare për pasojat e mundshme politike”, vlerëson ai.

Ai thotë se non-paper-i është gjithashtu sinjal se Komisioni do ta ndjekë nga afër mënyrën se si Serbia e zbaton këtë proces, sa i hollësishëm është kontrolli dhe nëse vërtet verifikohet prapavija e aplikuesve.

Bojana Sellakoviç nga Konventa Kombëtare për BE-në thotë se rritja e numrit të shtetësive të dhëna qytetarëve rusë, përfshirë edhe personave të sanksionuar, tregon se Serbia nuk ka orientim të qartë të politikës së jashtme dhe po i ruan marrëdhëniet me Rusinë.

“E gjithë kjo nuk është në linjë me një shtet që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së, sepse rregullat atje janë shumë strikte dhe shumë të qarta”, tha Sellakoviç.

Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në negociatat me BE-në që nga dhjetori i vitit 2021, dhe një nga arsyet është edhe mosharmonizimi me politikën e jashtme të bllokut.

Në samitin e fundit BE-Ballkani Perëndimor, në Tivat të Malit të Zi, Serbisë iu tha se duhet të përcaktohet mes Rusisë dhe Kinës në njërën anë, dhe Bashkimit Evropian në anën tjetër.

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, tha atëherë se Serbia duhet të vendosë se ku përket, dhe se “balancimi mes Rusisë, Kinës dhe Evropës është i papranueshëm”.

Ai sqaroi se udhëheqësit evropianë ia kishin bërë këtë të qartë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. /REL



Ju sugjerojmë

SHBA konfirmon sulmin ndaj anijes së tretë në Gjirin e Omanit
Bota

SHBA konfirmon sulmin ndaj anijes së tretë në Gjirin e Omanit

11 Qershor, 2026 4:26 pm
Luftuan krah ISIS në Siri, dënohen 14 xhihadistë shqiptarë
Kronikë

Luftuan krah ISIS në Siri, dënohen 14 xhihadistë shqiptarë

11 Qershor, 2026 3:12 pm
Informacioni rrodhi nga Pentagoni, Trump kërkon shkarkimin e gazetarëve
Bota

Paralajmëron Trump: SHBA do godasë “shumë fort” Iranin sonte

11 Qershor, 2026 2:55 pm
Partneriteti 25 vjeçar me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit, Nufi: Krenarë
Aktualitet

Partneriteti 25 vjeçar me Gardën Kombëtare të Nju Xhersit, Nufi: Krenarë

11 Qershor, 2026 2:46 pm
Trump njofton vrasjen e numrit dy të ISIS-it që fshihej në Nigeri
Bota

SHBA sulme të reja ndaj Iranit, Trump: Ose marrëveshje, ose bombardime pa mëshirë

11 Qershor, 2026 2:03 pm
Protestat, Këlliçi-PS: Slogani i ri, do jetë “Rama në burg, Berisha në Uashington”
Politikë

Protestat, Këlliçi-PS: Slogani i ri, do jetë “Rama në burg, Berisha në Uashington”

11 Qershor, 2026 1:40 pm
Italia fut Inteligjencën Artificiale në kurrikulën e shkollave të mesme
Bota

Italia fut Inteligjencën Artificiale në kurrikulën e shkollave të mesme

11 Qershor, 2026 1:38 pm
“Detektori i gënjeshtrave” mes një çifti të “çmendur”, nesër në Teatrin Kombëtar
Aktualitet

“Detektori i gënjeshtrave” mes një çifti të “çmendur”, nesër në Teatrin Kombëtar

11 Qershor, 2026 1:36 pm
Protesta e qytetarëve, Balla: Ishte e gjithë PD-ja në protestë
Politikë

Protesta e qytetarëve, Balla: Ishte e gjithë PD-ja në protestë

11 Qershor, 2026 12:23 pm
Berisha: Diella, një avatar bosh pa asnjë qelizë të urtësisë artificiale
Kryesore

Berisha pas heqjes së Non-Grata nga SHBA: Unë erdha, u krye

11 Qershor, 2026 11:01 am
Para
Informacioni rrodhi nga Pentagoni, Trump kërkon shkarkimin e gazetarëve

Paralajmëron Trump: SHBA do godasë "shumë fort" Iranin sonte

Luftuan krah ISIS në Siri, dënohen 14 xhihadistë shqiptarë

Luftuan krah ISIS në Siri, dënohen 14 xhihadistë shqiptarë

SHBA konfirmon sulmin ndaj anijes së tretë në Gjirin e Omanit

SHBA konfirmon sulmin ndaj anijes së tretë në Gjirin e Omanit
















TE FUNDIT

SHBA konfirmon sulmin ndaj anijes së tretë në Gjirin e Omanit

SHBA konfirmon sulmin ndaj anijes së tretë në Gjirin e Omanit
11 Qershor, 2026

SHBA-të kanë konfirmuar se kanë kryer një sulm ndaj anijes Jalveer me flamur të Guinea-Bissau. Komanda Qendrore (Centcom) thotë se...

Lexo më shumë

Luftuan krah ISIS në Siri, dënohen 14 xhihadistë shqiptarë

Luftuan krah ISIS në Siri, dënohen 14 xhihadistë shqiptarë
11 Qershor, 2026

Gjykata e Posaçme  shpall fajtore 14 xhihadistë, shtetas shqiptarë të cilët kanë shkuar në siri për të luftuar krah ISIS....

Lexo më shumë

Paralajmëron Trump: SHBA do godasë “shumë fort” Iranin sonte

Informacioni rrodhi nga Pentagoni, Trump kërkon shkarkimin e gazetarëve
11 Qershor, 2026

Donald Trump thotë se SHBA-të do ta godasin Iranin “shumë fort sonte” në një postim të ri në Truth Social....

Lexo më shumë

Serbi u jep shtetësi rusëve të sanksionuar nga SHBA, BE paralajmëron rrezik sigurie

Serbi u jep shtetësi rusëve të sanksionuar nga SHBA, BE paralajmëron rrezik sigurie
11 Qershor, 2026

Që nga fillimi i këtij viti, Qeveria e Serbisë u ka dhënë shtetësi katër herë më shumë shtetasve rusë sesa...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2026
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2026
Dev By Techzero1.com

// Add this to functions.php or a custom plugin function custom_footer_popup_banner() {
×
}