Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara shënuan 25-vjetorin e Programit të Partneritetit Shtetëror mes Gardës Kombëtare të Nju Xhersit dhe Forcave të Armatosura Shqiptare, një bashkëpunim që prej një çerek shekulli ka luajtur rol kyç në modernizimin e ushtrisë shqiptare.
Me rastin e këtij përvjetori, ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, morën pjesë në ceremoninë zyrtare të organizuar në Shtetet e Bashkuara.

Në aktivitet morën pjesë edhe autoritete të larta amerikane, mes tyre guvernatorja e shtetit të Nju Xhersit, Mikie Sherrill, si dhe Adjutantja e Përgjithshme e shtetit të Nju Xhersit dhe Komisionere për Çështjet Ushtarake, gjeneral brigade Yvonne L. Mays.
Në fjalën e tij, ministri Nufi e cilësoi partneritetin me SHBA-në si një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme dhe sigurisë së Shqipërisë.
“Sado gjatë të flas, nuk do të mund ta përshkruaj plotësisht historinë e miqësisë dhe bashkëpunimit tonë, as të shpreh në mënyrë të mjaftueshme mirënjohjen që burrat dhe gratë me uniformë të vendit tim ndjejnë ndaj jush. Besoj fort se kjo miqësi dhe ky partneritet të vazhdojnë ndër breza, duke shërbyer si model dhe shembull për të tjerët”, u shpreh ministri.
Nufi vlerësoi rolin që Garda Kombëtare e Nju Xhersit ka pasur në transformimin e Forcave të Armatosura Shqiptare, duke theksuar se bashkëpunimi ka sjellë rezultate konkrete në disa fusha të rëndësishme.

“Së bashku kemi ndërtuar kapacitete të qëndrueshme dhe konkrete. Kemi investuar në zhvillimin e Trupës së Nënoficerëve, e cila sot përbën një nga shtyllat më të forta të Forcave tona të Armatosura. Kemi mbështetur edukimin dhe zhvillimin profesional të brezave të rinj të oficerëve, kemi bashkëpunuar në mjekësinë ushtarake dhe në menaxhimin e emergjencave civile, si dhe kemi ndarë përvoja të vlefshme në misione ndërkombëtare, përfshirë Afganistanin”, tha ai.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë 25 viteve të partneritetit, Garda Kombëtare e Nju Xhersit dhe Forcat e Armatosura Shqiptare kanë zhvilluar stërvitje të përbashkëta, programe trajnimi dhe iniciativa të shumta që kanë ndihmuar në rritjen e kapaciteteve operacionale të ushtrisë shqiptare dhe forcimin e sigurisë euroatlantike.

















