Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka marrë masa të posaçme për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festimeve të ndërrimit të viteve.
Masat parashikojnë shtimin e pranisë policore me uniformë dhe të Policisë Kriminale në të gjithë qytetin, veçanërisht në zonat me fluks qytetarësh. Do të ketë pika fikse kontrolli në hyrje-daljet e kryeqytetit, si dhe patrullime të shtuara.
Policia do të intensifikojë monitorimin e qarkullimit rrugor për parandalimin e aksidenteve, si dhe kontrollet ndaj subjekteve dhe individëve që tregtojnë apo posedojnë lëndë piroteknike.
Prani e shtuar policore do të ketë edhe në sheshe publike, pedonale, objekte kulti, ambiente argëtimi dhe qendra tregtare. Paralelisht, do të vijojë bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale për parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Masat e Policisë konsistojnë në:
-shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe atyre të Policisë Kriminale, në të gjitha zonat urbane, me fokus të veçantë në zonat me fluks qytetarësh, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike;
-vendosjen e pikave fikse të kontrollit në hyrje dhe dalje të qytetit, si dhe shtimin e patrullimeve të lëvizshme, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe rritjen e sigurisë;
-intensifikimin e masave për monitorimin e qarkullimit rrugor, nëpërmjet kontrolleve të shtuara, përdorimit të mjeteve inteligjente dhe patrullimeve në akset kryesore urbane dhe interurbane, me synim parandalimin e aksidenteve rrugore;
-kryerjen e kontrolleve të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve që posedojnë/shesin lëndë piroteknike (fishekzjarre dhe/ose kapsolla), për parandalimin e rreziqeve dhe ngjarjeve aksidentale;
-rritjen e prezencës së shërbimeve të Policisë, në sheshe publike, shëtitore, pedonale, objekte kulti, në ambiente argëtimi (bare, restorante, lokale nate) dhe në qendra tregtare, me objektiv garantimin e mbarëvajtjes së festimeve;
-bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit në kohë reale, për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Policia apelon qytetarët të denoncojnë çdo paligjshmëri pranë patrullave ose në numrat pa pagesë 129 dhe 112, duke garantuar gatishmëri të plotë për ndërhyrje të menjëhershme gjatë gjithë ditëve të festimeve.

















