Policia Kufitare në Aeroportin “Nënë Tereza” ka intensifikuar kontrollet në hyrje dhe dalje të territorit shqiptar, duke goditur disa raste të paligjshmërive dhe duke ndaluar persona në kërkim ndërkombëtar.
Si rezultat i verifikimeve të kryera dhe shkëmbimit të informacionit me agjencitë partnere nëpërmjet Interpol Tiranës, është bërë e mundur arrestimi provizor i një shtetasi të shpallur në kërkim në Zvicër.
I ndaluari është A. M., 42 vjeç, banues në Itali, të cilit Gjykata e Gjenevës i ka caktuar masën “arrest në burg” për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Policia njofton se Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet zvicerane për përfundimin e procedurave të ekstradimit.
Ndërkohë, janë proceduar penalisht në gjendje të lirë dy 21-vjeçarë nga Kruja, A. B. dhe E. C., pasi dyshohet se kanosën dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë gjatë verifikimit të një automjeti të parkuar në zonë të ndaluar. Po ashtu, një 28-vjeçar nga i njëjti qytet, Xh. H., u kallëzua në Prokurori pasi tentoi të fuste në Shqipëri 12 000 euro pa i deklaruar në doganë, shumë që u sekuestrua si provë materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

















