Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për atentatin e Rinasit ku u ekzekutua me breshëri plumbash Gilmando Dani, ndërsa punonjësi i AMP-së Mustafa Sheqeri, i cili mbeti i plagosur rëndë më 11 nëntor, ndërroi jetë sot në spitalin e Traumës në kryeqytet. Gjatë fjalës së tij me banorët e njësisë nr. 3 në kryeqytet, Rama tha se nëse do të kishte kamerat Inteligjente në rrugë ngjarja do ishte zbardhur në kohë reale.
“Nëse do kishim atë sistem në këmbë, ajo ngjarja e Rinasit që ndodhi, do të ishte zbardhur në kohë reale. Por nuk është problemi te zbardhja, problemi është që në momentin që ai sistem funksionon, parandalon, siç e ka treguar, rasti në Emirate apo vende te tjera që kanë sisteme të tilla, paralajmëron në mënyrë jashtëzakonisht efikase të gjitha llojet e shkeljeve që lidhen me rendin, me qetësinë me sigurinë. Brenda këtij mandati do ta kemi këtë sistem”, tha Rama.
Kreu i qeverisë tha se zbatimi i vendosjes së kamerave inteligjente është vonuar për shkak të burokracive nga agjencitë shqiptare.
“Janë kamera inteligjente se nuk je ti që duhet të kontrollosh kamerën e lagjes, por kur dikush bën një shkelje vjen sinjali dhe vjen atje personi konkret dhe 8 muaj na ka marrë burokracia në agjencitë tona për të përfunduar procesin e dokumentacionin dhe të fillojë implementimi. Emiratet na e kanë dhënë ne këtë sistem dhe e kam kërkuar me këmbëngulje. Kërkon 12 muaj kohë të vendoset, dhe do kemi kohë të bëjmë planet dhe monitorimin”.

















