Një qytetar është përleshur fizikisht me një anëtar të Këshillit Bashkiak të Pogradecit, gjatë një mbledhjeje, pas miratimit të një liste sipërfaqesh tokash në fshatin Çërravë.
Vendimi parashikon mundësinë e dhënies me qira të mbi 34 mijë hektarëve tokë dhe u miratua me 20 vota pro, pavarësisht kundërshtimeve të forta nga një grup banorësh të zonës.
Gjatë diskutimeve, tensionet u rritën ndjeshëm ndërsa banorët shprehën hapur pakënaqësitë e tyre për mënyrën e hartimit dhe miratimit të listës.
Sipas tyre, procesi ka mungesë transparence dhe mund të prekë interesat e komunitetit lokal.
Pas votimit, një prej banorëve reagoi me tone të ashpra, duke thënë: “Turp të keni, të gjithë. Legena. Palaço”. Këto fjalë shkaktuan irritim te një prej këshilltarëve, i cili u ngrit në këmbë dhe iu drejtua banorit, duke u përleshur fizikisht e duke u goditur me grushte. Konflikti u përshkallëzua deri sa persona të tjerë të pranishëm ndërhynë për të ndarë palët dhe për të qetësuar situatën.
Pavarësisht incidentit, vendimi për sipërfaqet e tokës u konsiderua i miratuar.
















