Gjatë raportimit për veprimtarinë vjetore të vitit 2024 në Komisionin e Ligjeve, Prokurori i Përgjithshëm Olsjan Çela tregon se ka një rritje shqetësuese të dhunës, krimeve me dashje kundër njerëzimit dhe vrasjeve me paramendim.
Numri më i lartë i krimeve kundër jetës të kryera me dashje është në Tiranë, regjistruar përkatësisht rreth 30 % e totalit, ndjekur më pas nga Korça, ndërsa numri më i ulët është në Dibër.
“Sa i përket arsyeve të rritjes së numrit të procedimeve, është e vështirë të përcaktohet nëse kjo ka ardhur nga një tendencë e rritjes së fenomeneve të dhunës në përgjithësi, apo nga një rritje e ndërgjegjësimit të viktimave si dhe e besimit të tyre tek sistemi i drejtësisë për të denoncuar rastet.
3.6 Një tendencë shqetësuese rritjeje është konstatuar tek krimet me dashje kundër jetës. Koeficienti i kriminalitetit për 100,000 banorë për këto grupvepra në vitin 2024 është 14,7, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 10,5. Numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për krime kundër jetës të kryera me dashje është në Tiranë, regjistruar përkatësisht rreth 30 % e totalit, Korçë 12 %, Durrës 10 %, Fier dhe Lezhë 8 %, Elbasan 6%, Vlorë 5%, ndërsa vërehet se numri më i ulët i procedimeve të regjistruara është në Dibër, me rreth 1 %.
Ka një rritje të ndjeshme të vrasjeve me dashje. Pesha specifike që zë kjo vepër penale në grupin e veprave penale “Krime kundër jetës të kryera me dashje” për vitin 2024 është 12,46 %, ndërsa në vitin 2023 ka qenë 4,83 %. Në vitin 2024 janë regjistruar 44 procedime për këtë vepër, që përbëjnë një rritje prej 3,14 herë krahasuar me 14 procedime të regjistruara në vitin 2023.
Tendencë të fortë rritje ka pasur edhe vepra penale e “vrasjes me paramendim”, pasi janë regjistruar 31 procedime penale që krahasuar me 15 procedime të regjistruara në vitin 2023, që përbën një rritje prej 2 herë”.