Është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) efektivi i policisë që aksidentoi dje, 3 tetor, për vdekje një 71-vjeçare në Gjirokastër.
Bëhet fjalë për punonjësin e policisë A. M., me detyrë Shef i Kufirit të Gjelbërt Kakavijë në DVKM Gjirokastër, i cili dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, teksa polici i jepte makinës për të shkuar në punë.
Në vendngjarje u kryen veprimet e para hetimore, përfshirë këqyrjen e vendit të ngjarjes, sekuestrimin e automjetit dhe marrjen e një mostre gjaku për Ekspertimin Toksikologjik.
Testi i alkoolit ka rezultuar negativ.
Materialet proceduriale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër.