Pas seancës së kaosit, opozita dhe mazhoranca gjetën konsensusin për të miratuar kryetarët dhe anëtarët e komisioneve të përhershme parlamentare. Në seancën plenare të ditës së sotme, PD dhe PS miratuan përbërjen e komisioneve duke zgjidhur kështu ngërçin që ishte krijuar për shkak të opozitës, e cila emrat po i mbante në sirtar pasi nuk ishte dakord me ndarjen e re 7 me 4.
Me 94 vota pro, 3 abstenim dhe 1 kundër u miratuan anëtarët e 11 komisioneve të përhershme. Me 87 vota pro, 4 abstenim dhe 2 kundër u miratuan anëtarët zëvendësues, ndërsa me 83 vota pro, 2 abstenim dhe 1 kundër u miratuan kryesitë e komisioneve.
Seanca që duhej të ishte vetëm procedurë për miratimin e emrave, zgjati më shumë nga sa ishte parashikuar për shkak të këmbënguljes së PD që të ripërsëritej seanca e kaluar që zgjati vetëm 25 minuta dhe vetëm me votat e socialistëve u miratua programi qeverisës.
Në ‘bllok’, opozitarët morën radhën një nga një, duke kërkuar sërish mundësinë që të flasin për programin qeverisës, e duke theksuar se në asnjë rast nuk penguan kryeministrin të flasë, por ministren ‘antikushtetuese’ Diella, të cilën tashmë e kanë dërguar në Kushtetuese bashkë me rregulloren e të Kuvendit.
“Akti i vetëm që kjo seancë mund të bëjë për atë procesverbal ,ta hedhë në koshin e plehrave seancën dhe procesverbalin. Do të mbetet në arkivat e këtij shteti si procesverbali më i turpshëm dhe ky turp do të mbulojë ata të cilët zhvilluan një seancë si ajo, e pashembullt dhe e bënë atë vetëm e vetëm për të fshehur, për të maskuar 18 Erjon Veliaj”, tha Sali Berisha.
“Mund të pyesni Ruçin që a ka ndodhur ndonjëherë të përfshihet në dekret një lodër teknologjike, a ka ndodhur në tre dekada që në kuvend, dita e parë e fillimit të legjislacionit të nisë me ndryshimin e rregullores pa konsensus”, tha Jozefina Topalli.
“Kryeministri nuk u ndërpre në asnjë moment, por u ndërpre një ministër antikushtetues siç është ‘Diella’, tha Erisa Xhixho.
Pavarësisht kundërshtisë së opozitës se në procesverbalin e seancës së 18 shtatorit nuk ishte pasqyruar si duhet ajo çfarë ndodhi, procesverbali u miratua vetëm me votat pro të mazhorancës. Kreu i grupit të PS, Taulant Balla ironizoi kërkesën e kolegëve opozitarë për ripërtëritjen e seancës, duke u kujtuar se seancën e kaluar e dhunuan dhe sot duan që të japin mend.
“Pasi dhunuan seancën, prishën solemnitetin e një prej seancave më të rëndësishme, vijnë pas një jave dhe duan të japin mendim. Prandaj zoti kryetar i Kuvendit, kemi kaluar sot me konsensus në konferencë të kryetarëve përbërjen e komisioneve dhe propozimet e grupeve parlamentare të opozitës dhe të deputetëve të pavarur, të kalojmë në votim përbërjen e komisioneve dhe të mos bëjmë hile me procedurën“, tha Balla.