Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur alarmin për gjendjen e ekonomisë shqiptare, duke theksuar se industria, energjia dhe bujqësia po përjetojnë rënie të thellë.
“Industria ka rënë me 7,5% në tremujorin e fundit, duke sjellë një rënie të punësimit me 5,2%. Edhe energjia ka rënë me 5,2%, ndërsa punësimi në këtë sektor është ulur me 2,6%. Ndërkohë, bujqësia shënon një tjetër rënie me -1%,” u shpreh Tabaku.
Sipas saj, ky është rezultati i një sistemi ekonomik që favorizon pakicën dhe mbitakson shumicën, duke shkatërruar sektorët prodhues dhe duke i lënë qytetarët pa perspektivë. “Ekonomia shqiptare nuk prodhon më, nuk ka produktivitet dhe ka shteruar. Këtë kënetë duhet ta thajmë,” tha Tabaku.
Deputetja demokrate shtoi se pastrimi i parave dhe zhvlerësimi i euros kanë thelluar krizën, ndërsa taksat e padrejta po rëndojnë mbi fermerët dhe bizneset e vogla.