Ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin do të vazhdojë dëshminë në Gjykatën Speciale edhe këtë të mërkurë, më 17 shtator.
Dëshmia mbrojtëse e James Rubin në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur të hënën, më 15 shtator.
Gjatë dy ditëve, në dëshminë e tij ai ka deklaruar se UÇK-ja nuk ka pasur kontroll dhe komandë efektive. Rubin gjithashtu ka theksuar se Thaçi ka pasur më shumë rol politik dhe jo autoritet mbi UÇK-në.
“Më shqetëson fakti që [ish-krerët e UÇK-së] janë mbajtur kaq gjatë në paraburgim. Ndërkohë që janë dorëzuar vullnetarisht”, tha ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, gjatë ditës së dytë të dëshmisë së tij në mbrojtje të ish-presidentit Hashim Thaçi, në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të pretenduara të luftës dhe ndodhen në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.