Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, mori pjesë në një ceremoni përkujtimore të mbajtur në qytetin e Shkodrës, në nderim të personave që humbën jetën apo u zhdukën pa gjurmë në kufijtë veriorë të vendit gjatë periudhës së diktaturës komuniste.
Në një simpozium solemn, që u zhvillua për të nderuar kujtimin e qindra qytetarëve shqiptarë që tentuan të arratiseshin drejt lirisë por nuk ia dolën kurrë, Spiropali tha se kujtesa nuk mund të jetë vetëm një akt simbolik, por një thirrje për ndërgjegjësim shoqëror dhe reflektim të ndershëm mbi të kaluarën.
“Sot, në këtë qytet me një histori të veçantë të dhimbjes, ndalemi për të kujtuar ata që mungojnë, njerëz të zhdukur gjatë një periudhe të errët të historisë sonë, e cila ende kërkon qartësi dhe përgjegjësi,” u shpreh ajo në fjalën e saj.
Kryetarja e Kuvendit theksoi se 30 gushti, për Shqipërinë, nuk është vetëm një datë kalendarike ndërkombëtare, por “një thirrje për kujtesë dhe ndërgjegjësim. Po kaq e fortë kjo përpjekje sa etike, duhet të jetë dhe kulturore”.
“Midis viteve 1945–1991, mijëra shqiptarë u zhdukën pa gjurmë. Ka ende nëna që nuk e mësuan kurrë fatin e birit, vëllezër dhe motra që presin një përgjigje. Kjo nuk është një çështje private e disa familjeve, por një plagë kombëtare,” shtoi Spiropali.
Ajo shtoi se Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme europiane pa reflektuar me ndershmëri për të kaluarën e saj, duke bërë thirrje për një politikë të re morale, ku e kaluara të trajtohet me përgjegjësi institucionale dhe njerëzore: “Shqipëria nuk mund të ketë një të ardhme europiane pa reflektuar me ndershmëri për të kaluarën e saj. E kaluara na përkjet të gjithëve!”