Gjatë fundjavës ka patur një fluks të madh të udhëtarëve që kanë hyrë apo dalë nga Porti i Durrësit.
Këtë të martë, më 19 gusht, Autoriteti Portual i Durrësit ka publikuar një raport të përditësuar mbi lëvizjen e pasagjerëve dhe automjeteve gjatë periudhës 14-17 gusht 2025 në Terminalin e Trageteve të portit.
Gjatë këtyre katër ditëve, në hyrje drejt territorit shqiptar kanë kaluar 10 mijë e 891 pasagjerë dhe 2 mijë e 881 automjete, ndërsa në anën tjetër, nga Shqipëria drejt destinacioneve të jashtme janë nisur 22 mijë e 436 pasagjerë dhe 6 mijë e një automjete.
Ky fluks i lartë tregon një aktivitet të shtuar në sezonin turistik veror, duke reflektuar rritjen e lëvizjes së qytetarëve dhe turistëve që zgjedhin rrugën detare si një opsion kryesor për udhëtimet ndërkombëtare, sidomos të atyre që kthehen nga emigracioni për pushime në atdhe dhe e anasjellta gjatë gushtit.
Sipas Autoritetit Portual janë marrë të gjitha masat për të garantuar një kalim të sigurt dhe të rregullt të pasagjerëve dhe automjeteve, duke përfshirë kontrolle të thelluara dhe procedura të përshpejtuara për të shmangur vonesat dhe grumbullimet./tvklan