Policia ka vënë në pranga tetë persona, një ditë pas ngjarjes së rëndë që ndodhi në Maliq, ku u vra me thikë një 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij.
Përmes një komunikate për mediat, policia bën me dije se është arrestuar 14-vjeçari i dyshuar për krimin, i cili pas ngjarjes tentoi të largohej me automjet.
Si nisi debati mes adoleshentëve
Dy të miturit janë përleshur më 14 gusht brenda ambienteve të një lokali, në fshatin Pirg të Maliqit. Për pasojë, njëri prej tyre ka humbur jetën.
Mësohet se viktima është goditur disa herë me thikë, ndërsa i mituri tjetër ka mbërritur në spital me shenja grushti në fytyrë.
Gazetarja e Klan News-it, Daniela Zisi, raportoi se dy të miturit kanë pasur një konflikt të mëparshëm dhe debate të vazhdueshme. Prandaj, ishin takuar në lokal për të sqaruar mosmarrëveshjen.
Ngjarja e Maliqit nuk është e para që alarmon vendin tonë lidhur me incidentet mes të miturve.
Kujtojmë rastin e 14-vjeçarit M.C., i cili u vra më 18 nëntor 2024, vetëm disa metra larg shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë.
Ai u qëllua nga bashkëmoshatari i tij, M.P., i cili po gjykohet për veprën penale “vrasje në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave”./tvklan